Është mburrur shpesh dhe e ka merituar. Ardian Ismajli me shumë mundësi po luan sezonin e jetës, dhe në Itali po flitet shumë për të.
Pak rëndësi ka nëse Interi apo Juventusi do të bëjnë duel për të, sepse futbollisti shqiptar e ka fituar një vend të merituar në majat e Serisë A.
Në rolin e tij si mbrojtës, ylli kuqezi dhe I Empolit është ndër më të mirët.
Ismajli është në vend të parë në renditjen për spastrimet e topave pranë portës së vet, duke pasur 93 të tilla, shumë më tepër sesa lojtari I vendit të dytë, Balog, që ka 56.
Mbi 40 nga këto spastrime janë në ajër, dhe ky është një rekord.
Po ashtu, është në vend të katërt për topat e kundërshtarëve që ka kapur, apo interceptuar, 17 të tillë, një më shumë sesa shoku I tij në kombëtare, Berat Gjimshiti.
Gjithashtu, është I shtati këtë edicion për duelet ajrore të fituara, 31, renditje ku shqiptarët janë shumë mirë, sepse Rrahmani I Kosovës është I dyti me 38 dhe Gjimshiti në vend të tetë.
Natyrisht, në një ekip modest si Empoli, 28-vjeçari nuk mund të pretendojë tituj e trofe, por mbijetesën dhe për momentin skuadra toskane është në rregull duke qenë pranë mesit të renditjes në Serinë A.