Esat Mala është prej dy vitesh pjesë e Partizanit. Mesfushori, i cili ka debutuar në një ndeshje kundër Kamzës në shkurt te vitit 2018, në verë del lojtar i lirë. Kontrata i përfundon dhe për momentin ai nuk ka dëshirë të nënshkruajë një të re. Palët kanë biseduar në të shkuarën për rinovimin, por klubi është stepur fillimisht. Ngërçi kryesor ka qenë klauzola e largimit, sikurse bëjnë me dije burime të ABC News pranë palëve.
Së fundmi Mala ka pranuar të menaxhohet nga kompania holandeze SEG dhe pret që të transferohet jashtë vendit. Sigurisht që kjo të ndodhë është më e lehtë kur je i lirë. Partizani nga ana tjetër kërkon të rinovojë, ose ta shesë në janar. Në numrin e sotëm të “Panorama Sport”, raportohet se të kuqtë po planifikojnë ta dërgojnë në tribunë mesfushorin.
Kjo si “dënim” për refuzimin që lojtari po i bën klubit për të nënshkruar kontratën e re. Në fakt, te Partizani janë vonuar për diçka të tillë. Që pas gjashtë muajve të parë, kur Mala spikati në Superiores, drejtuesit e kryeqytetasve duhet t’i kishin ofruar një kontratë të përmirësuar në aspektin financiar.
Do të ishte një vlerësim për lojtarin dhe një shtysë për të shtuar edhe ndonjë vit nga marrëveshja e parë. Në kushtet kur te Partizani kanë vijuar me të njëjtat kushte kontratë, normalisht edhe Malës i lind e drejta të shohë më të mirën për vete dhe të falënderojë “demat” për mundësinë e dhënë. /abcnews.al