Paketa AntiKÇK, reagon Manjani: Zoti e bëftë mirë, por ky duket fillimi i sundimit të pushtetit politik

schedule19:36 - 24 Nëntor, 2019

schedule 19:36 - 24 Nëntor, 2019

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, në rrjetin social “Facebook” ka komentuar paketën speciale të paralajmëruar nga kryeministri Rama kundër KÇK-së (kap ç’a të kapësh), të cilën ai lajmëroi se ta prezantojë nesër.

“Zoti e bëftë mirë, por ky duket fundi i sundimit të ligjit dhe fillimi i sundimit të pushtetit politik! Ky i fundit nuk është e thënë të jetë gjithmonë Edi Rama… nëse kundërshtarëve të tij ju bie në dorë ky ligj as në atë botë sdo ta lënë të qetë”, shkruan Manjani.

Postimi i plotë Manjanit:

Disa konsiderata paraprake mbi projekt ligjin që reklamon Rama si Anti-KÇK.

Na një lexim i shpejtë i projekt ligjit për Parandalimin e terrorizmit…., të cilin Rama e reklamon si anti KÇK, me tërheqin vemendjen këto elementë kryesore:

  1. Thuajse të gjitha paragrafët e projekt ligjit fillojnë me fjalët “Policia e Shtetit”. Në tekst vihen re terma të tilla si “Policia urdhëron”; ” bllokon”; “përgjon”; “kontrollon”; “sekuestron”; “heton”. Këto terma ligjorë edhe gjykatat nuk i kanë asnjëherë të plota. Kurse sipas këtij projekti Policia e Shtetit i ka të plota!!!
  2. Projekti në formë e në titull ka qëllim të parandalojë terrorizmin, krimin e organizuar dhe krimet e rënda. Në përmbajtjen e tij, Policia ka të drejtë të ndërhyjë në liritë e të drejtat themelore të gjithkujt, nëse mbi të ka një dyshim për njërin nga 2/3 e neneve të Kodit Penal, që ky projekt ja njeh policisë si detyrë për ti hetuar!!! Praktikisht policia heton për çdo vepër penale.
  3. Projekti e anashkalon procesin e rregullt gjyqsor hetimor. Gjykata e prokuroria ngjajnë si agjensi legalizimi të ndërhyrjeve që policia bën sipas qejfit!!!
    Madje gjykatësit e Prokurorët janë subjekte hetimore nga policia!!!
  4. Madje një nen në projekt përcakton se pavarësisht çfarë bën SPAK, BHKH dhe Gjykata për një rast konkret, policia bën veprime hetimore paralele!!!

Pra me pak fjalë, me një ligj të vetëm bie poshtë e gjithë struktura shtetërore e ndërtuar sipas Kushtetutës, për të hetuar e ndëshkuar krimin. Bashkë me ta bie poshtë i gjithë proçesi i rregullt ligjor. Madje bie poshtë edhe vetë reforma në drejtësi.

Projekt ligji është në fakt instrumenti më i rrezikshëm që po ti jepet në dorë qeverisë së sotme moniste, mund të bëjë ç’të dojë me cilindo kundërshtar ose të pabindur të saj. Policia është institucion thellësisht i varur nga pushteti politik.

Në kushte normale Policia e Shtetit është nën hyqmin e organeve të drejtësisë. Me këtë projekt ajo shpallet organ drejtësie me vete,madje edhe më e lartë se vetë drejtësia në disa raste!!!

Edhe SPAK e BKH, ky ligj i anashkalon!!! Të jetë vallë produkt i të huajve kjo gjë?!
Duan apo sduan që këto institucione të reja të krijohen?!

Për herë të fundit që ky ligj ka vepruar kështu, vendi ka qenë zyrtarisht i quajtur Diktaturë!

Ta duan vallë të huajt diktaturën?! Megjithë kritikat që kemi, nuk e kemi dëgjuar këtë gjë nga ata.

Mezi po pres të shoh kush nga agjensitë e huaja e mbështet këtë ligj. Mesa di ata që u morën me Reformën në Drejtësi nuk janë mbështetës të nismave të tilla që paralelizojnë veprimtarinë e SPAK dhe BKH. Pra ata nuk janë, natyrshëm pas kësaj nisme. Mejithatë të shohim, se mbase ka të tjerë…

Zoti e bëftë mirë, por ky duket fundi i sundimit të ligjit dhe fillimi i sundimit të pushtetit politik! Ky i fundit nuk është e thënë të jetë gjithmonë Edi Rama… nëse kundërshtarëve të tij ju bie në dorë ky ligj as në atë botë sdo ta lënë të qetë…

Ende shpresoj se do gjendet një arësye që të bëhet drejtësia e re dhe ti lëmë ata të punojnë.

Të jem i sinqertë, një ligj i tillë nën drejtimin e drejtësisë do ishte të paktën më i pranueshëm. Por nën hyqmin e pushtetit politik është i PAPRANUESHËM!

Sidoqoftë, këto komente të miat janë mbi një draft paraprak të këtij ligji. Të shohim dhe draftin zyrtar…/abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!