Shtetet e Bashkuara thanë më 31 tetor se kanë informacione se afër 8.000 ushtarë të Koresë së Veriut tani janë në rajonin rus të Kurskut, afër kufirit me Ukrainën, dhe Rusia “synon” që t’i dislokojë ata në fushëbetejë kundër forcave ukrainase.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se SHBA-ja pret që trupat të dërgohen në vijën e frontit në ditët në vijim. Ai përsëriti se ata do të bëhen “caqe legjitime ushtarake” nëse dislokohen.
Dislokimi ishte në krye të agjendës teksa Blinken dhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, u takuan me ministrin e Jashtëm të Koresë së Jugut, Cho Tae-yul, dhe atë të Mbrojtjes, Kim Yong-hyun.
Rusia ka trajtuar trupat e Koresë së Veriut për përdorimin e artilerisë, dronëve dhe për operacione bazike të këmbësorisë, “duke lënë të kuptohet se ajo synon që t’i përdorë këto forca në operacionet në vijën e frontit”, tha Blinken.
“Një nga arsyet që Rusia po përdor trupat e Koresë së Veriut është sepse është e dëshpëruar. [Presidenti rus, Vladimir] Putin gjithnjë e më shumë po dërgon gjithnjë e më shumë rusë në luftën vrastare në Ukrainë”, tha Blinken.