Fredi Beleri u përball me një incident dy ditë më parë pasi erdhi në Tiranë me një grup eurodeputetësh në kuadër të takimit të 18-të të Komisionit Ndërparlamentar të Stabilizim Asociimit. Një qytetar i kujtoi atij masakrën e Peshkëpisë duke e quajtur vrasës ndërsa një tjetër e goditi me vezë dhe kos.
Skerdjan Dhuli, mbështetës i fushatës së Belerit, thotë se priste që të kishte incidente. I ftuar në emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla, ai komentoi edhe faktin që kryeministri Edi Rama nuk u takua me Belerin, duke thënë se ishte një sjellje jo serioze nga ana e kryeministrit.
“Pak a shumë siç kisha parashikuar. Nuk prisja diçka tjetër. Nëse i referoheni incidentit që është banal edhe për ta komentuar, sepse çdo shtet ka të çmendurit e vetë. Beleri nuk është as i pari dhe as i fundit që është goditur. Macron është bërë tabelë qitjeje me vezë kohët e fundit, por dhe shumë liderë botërorë. Te Trump shkuan me plumba. Ajo që kam dyshim timin është fakti që në momentin që ndodhi protesta e parë me hyrjen e eurodeputetëve në godinën e kryesisë së Kuvendit, ku ne të gjithë e ndoqëm që kishte disa qytetarë, duke protestuar. Pas dy orë e gjysmë, aty nuk kishte këmbë polici ndërkohë që të ka ardhur një delegacion evropian, ku diskutimi që bëhet është pro Shqipërisë. Për rezolutën, Beleri nga 15 amendamente të propozuara prej tij PS ka miratuar 14 dhe i 15-ti nuk ka rënë për shkak të mosdakordësisë së PS dhe Belerit por për shkak të mosdakordësisë mes palëve në tërësi. Dhe unë e prisja që Rama do të sillej në këtë formë, jo serioz për çështjen e Belerit sepse kryeministri i vendit që aspiron për të shkuar në BE nuk mundet që të anashkalojë takimin zyrtar me delegacionin e PE për Stabilizim Asocimin, është takuar vetëm me tre eurodeputetë, ndërkohë që të tjerët ishin të ndarë në dy hotele të tjera. Nëse të vijnë 12 eurodeputetë për të mirën e Shqipërisë dhe këtë axhendë e shmang se ke takim me disa pleq të Divjakës, më duket jo serioze.”, tha ai./abcnews.al