Pjesëtarë të Ansamblit të Devollit ishin të ftuar këtë të martë në “ABC e Mëngjesit”, në ABC News. Marsel Muzikanti, klarinetist, Endri Fifo këngëtar, Sokol Shurdhi fizarmonikë dhe Altin Laloti dajre, rrëfyen rrugëtimin e tyre të ndjekur së bashku në muzikë.
Gjatë intervistës, Endri Fifo ka rrëfyer se si janë bërë bashkë në Grupin e Sazeve të Devollit, duke u shprehur se ky grup ka vazhduar për breza me radhë.
Ndërsa nënvizoi se është folklori i Devollit ajo që i bashkon.
“Ansambli Devolli daton që në vitin 1927, më pas erdhi në Devoll në 1930 dhe ka vazhduar historikisht për breza më radhë. Është përfaqësuar denjësisht në veprimtari. Ajo çfarë në mban bashkë është folklori i Devollit, instrumentistë e muzikantë të talentuar. Në themel të Ansamblit kemi vallen devollishte, që është një perlë e fuqisë shpirtërore të Devollit/Fillimisht nis si pasion më pas kthehet në profesion dhe nuk ka kënaqësi më të madhe se të t’u lësh këtë trashëgimi brezave të ardhshëm”, u shpreh ai.
Më tej theksoi se gjithashtu se kanë bërë gati dosjet për të çuar sazet në UNESCO.
Gjithashtu Sokol Shurdhi tregoi se vlerat janë shumë të mëdha dhe se Ansambli i Devollit kudo ku ka marrë pjesë është vlerësuar me çmim të parë.
“Janë shumë vite, kam mbaruar liceun “Tefta Tashko” në Korçë dhe prej atyre viteve kam qenë pjesë e aktiviteteve. Kudo ku kemi marrë pjesë Ansambli i Devollit është vlerësuar me çmim të parë”, tha ai.