“Mos kini frikë nga risitë, duhen mënyra konkrete”. Ky ishte mesazhi që dha presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, duke komentuar marrëveshjen për emigracionin mes Shqipërisë dhe italisë. Në një intervistë për European Newsroom, kreu i KE tha se Roma duhet të shqyrtojë alternativa konkrete.
“Unë mendoj që ne nuk duhet të kemi frikë të shohim mënyra operacionale, mënyra konkrete për të qenë më efektivë në drejtim të menaxhimit të emigracionit. Unë nuk dua të ndërhyj në debatin e brendshëm në Itali, por duhet të shqyrtojmë se cilat janë modalitetet konkrete dhe nuk dua të them se pikat e nxehta në Shqipëri janë të mira apo jo”.
Çështja e emigracionit është një temë e nxehtë në këshillin e Evropës, sipas Michele, ku prezantohen ide të ndryshme se si duhet të luftohet emigracioni i paligjshëm.
“Mund t’ju them se debati i fundit që patëm javën e kaluar ishte shumë, shumë interesant, tani ka një konvergjencë më të madhe në idenë se duhet të luftojmë imigracionin ilegal, sepse nuk mund t’i lejojmë kontrabandën dhe trafikantët të vendosin kush mund të hyjë në Bashkimin Evropian”.
Kreu i KiE po ashtu foli edhe për krijimin e një liste të përbashkët për vendet e sigurta, në mënyrë që Evropa mos të bëhet “muzeu i botës”.
“Unë jam pro një koordinimi më të madh evropian për konceptin e vendeve të sigurta dhe ka gjithnjë e më shumë konsensus për këtë ide që, pavarësisht këtij vendimi kombëtar, ne duhet të bashkëpunojmë dhe të hyjmë në më shumë detaje. Duhet të bëjmë gjithçka që të mos bëhemi muzeu i botës. Jemi në një pikë kthese dhe është vërtet e rëndësishme për të ardhmen të ruajmë të njëjtin nivel ambicie që kishim në të kaluarën, të njëjtin pasion për projektin europian”.
Michel tha se emigracioni i paligjshëm mund të cilësohet edhe një sfidë politike, pasi në disa raste keqpërdoret nga disa grupe politike./abcnews.al