Historia frymëzuese e Burim Lecit, sfidoi vdekjen me vrap: Nisa të vrapoj 28 ditë pas operimit në zemër

schedule09:34 - 25 Tetor, 2024

schedule 09:34 - 25 Tetor, 2024

Burim Leci ka një histori frymëzuese për të gjithë ne. Pavarësisht sfidave shëndetësore me të cilat është përballur, 43 vjeçari nuk është ndalur asnjëherë së ndjekuri pasionin e tij.

Burimi i është nënshtruar një ndërhyrjeje në zemër. Ishte në një vrapim malor kur iu shfaqën shqetësimet e para. Ai u dërgua në një spital në Shkup, ku edhe kreu operacionin në zemër.

Në një intervistë për emisionin “ABC-ja e mëngjesit”, shqiptari nga Kosova tregoi momentin kur kuptoi se diçka nuk shkonte me shëndetin e tij.

“Kemi qenë në vrapim malor dhe nuk kam pasur paralajmërim të mëhershëm. Ka ndodhur papritur. Kam pasur sikur dikush po më mbante këmbët. Shikoja që nuk qarkullonte gjaku te duart. Kuptova që kisha një problem të madh shëndetësor. I thashë një vrapuesje, më qëndro afër sepse kam problem. Kam filluar të marr frymë pa ndalur. Kam filluar të ecë sa më ngadalë për të arritur te mjeti. Në spitalin në Prishtinë nuk pati kardiolog, më pas shkova në Shkup.”, u shpreh Burimi.

Më pas, ai rikujton vendimin për t’iu rikthyer vrapit vetëm 28 ditë pas operacionit në zemër.

“Herën e fundit kur kam pasur një sulm që më është dashur ndërhyrje në zëmër të hapur, kam nisur të vrapoj 28 ditë pas operimit. Por kam pasur jelekun. Nuk iu rekomandoj të tjerëve…por ajo ka qenë ajo që kam zgjedhur unë, që me kujdes dhe ngadalë me iu rikthyer jetës së plotë përsëri. Ka qenë tre vite e gjysmë më herët. Tre arteriet kanë qenë të mbyllura. Për mënyrën se si ha, nuk do të duhej të kisha problem. Shumë mjekë kanë qenë kundra asaj që kam bërë unë, por disa ishin pro. Kam dëgjuar ata që më kanë thënë bëj çfarë të duash. Maratona e parë pas bypasseve ka qenë në Romë. Para maratonës, kam bërë një vrapim malor 5 muaj pas operimit. Kam qenë i gatshëm që të bëj distanca të gjata pa probleme.”, theksoi ai./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!