Trajneri i Teutës, Blendi Shkëmbi, ishte i pranishëm në konferencë për shtyp para ndeshjes ndaj Vllaznisë, që do të luhet në transfertë në Shkodër. Shkëmbi dhe djemtë e tij synojnë të marrin tri pikët e plota dhe strategu i “Djemve të Detit” pranoi se skuadra është më e freskët pas pauzës së kampionatit.
MOMENTI JO I MIRË – “Po punojmë, kemi punuar fort këto dy javë. Gjithë kjo lodhje shpresoj të na kthehet në sukses nesër dhe ta kalojmë këtë moment jo të mirë. Pastaj do të jetë më e thjeshtë për ne”.
ANALIZA – “Jemi të qartë se çfarë duhet të bëjmë mirë. Nuk është diçka e vështirë. Duhet qartë që kemi probleme të mëdha me finalizimin. Kemi probleme në 30 momentet e fundit. Kemi punuar, kemi folur me futbollistët. Patjetër duhet edhe pak fat për ta kaluar këtë situatë”.
PUSHIMI – “Nesër pas ndeshjes mund të jap përgjigjen më të mirë. Ishte një periudhë që na shërbeu për t’u qetësuar pas atyre rezultateve jo të mira”.
PRESIONI I REZULTATEVE – “Normal që ekipi e ndjen, por nuk ndodh vetëm te ne. Ndodh në çdo ekip futboll. Ne e vuajmë, por nuk duhet të justifikohemi që ky presion na prish punë. E shikoj që ekipi ka presion, por personalisht unë dhe ekipi e shohim pozitivisht presionin”.
SULMI – “Kemi diskutuar për të zgjidhur këtë ngërç brenda zonës dhe për të qenë më konkretë para porte. Gjithsesi, të gjithë e dimë se ky nuk është vetëm problem i sulmuesve, por i gjithë lojtarëve. I gjithë ekipi duhet të ndihmojë dhe të japë maksimumin”.
VLLAZNIA – “Vllaznia ka një ekip të mirë, nuk luan vetëm në mbrojtje. Ne e kemi analizuar kundërshtarin dhe e kemi përgatitur ndeshjen. Është një ekip që vendoste mirë në fushë dhe i rrezikshëm në kundërsulm. Ne i kemi marrë masat dhe i kemi mbyllur analizat tona. Shpresoj të jemi më konkretë në portën e kundërshtarit.
MUNGESAT – “Mendoj se ka të bëjë me ngërçin psikologjik, pasi cilësitë e lojtarëve i kemi. Sa më shpejt ta kalojmë këtë ngërç, do të jetë më e thjeshtë. Kemi disa mungesa dhe gjëja më e mirë do të ishte t’i kishim të gjithë të gatshëm. Unë personalisht nuk i shoh si justifikim”, përfundoi Shkëmbi./abcnews.al