Leonard, mallkimi i një “ylli”/ Basketbollisti amerikan sërish jashtë parketi, talenti i madh rrezikon karrierën

schedule17:56 - 20 Tetor, 2024

schedule 17:56 - 20 Tetor, 2024

Do të ishte një mëkat I vërtetë.

Basketbolli amerikan thuajse ka humbur njërin nga yjet e tij kryesorë, Kauai Leonardin.

Në moshën 33-vjeçare, njëri nga talentet më spektakolare të NBA-së në 13 sezonet e fundit, rrezikon të mbyllë karrierën për shkak të dëmtimeve.

Lajmet janë që Leonard, basketbollist me Los Anxhelos Klipersat, ka dhimbje dhe fryrje në gju, dhe se do të mbetet jashtë parketit për një kohë të pacaktuar.

Kaq serioze duket gjendja saqë njëri nga ekspertët televizivë në ESPN, Kendrik Perkins, deklaroi se 33-vjeçari duhet të mendojë tërheqjen nga sporti.

E vërteta është që ylli I Klipersave luajti 68 ndeshje sezonin e kaluar, numri më I lartë që nga edicioni 2016-2017, dhe shpresa ishte që të udhëhiqte ekipin nga Kalifornia që pretendon të fitojë titullin.

Në të kaluarën e ka bërë, duke u shpallur kampion I NBA-së me San Antonion dhe Toronton, dhe duke qenë rivali i madh i dy yjeve kryesorë të ligës më të fortë të botës, Lebron Xhejmsit dhe Stef Kërrit.

Jo më kot u shpall Mbrojtësi I vitit dy herë, dhe ishte lojtari më I mirë I sezonit, ndërsa mori unazat e NBA-së në 2014 e 2019.

Po ashtu, ai është një nga lojtarët më të kompletuar të të gjitha kohëve, duke kombinuar mbrojtjen dhe sulmin.

Gjithsesi, fiziku I tij mbeti gjithmonë I brishtë, edhe pse parametrat atletikë kanë qenë të shkëlqyer.

Prej 10 vitesh ai ka vuajtur nga dëmtimet, që nga ligamenti I dorës, tek lëndimi në kofshë, në 2021 pati problemin më të madh, këputjen e ligamentit kryq dhe në 2023 iu shtua shqetësimi në menisk. /abcnews.al