Ka filluar seanca në gjykatën e Krimeve të Rënda për përcaktimin e masës së re të sigurisë për grupin “Bajri”, ndaj të cilëve u lëshuan nëntë urdhra arresti dy ditë më parë.
Prokuroria ka zbuluar se Behar Bajri kishte dy të dashura, të përfshira edhe këto në aktivitetin e tij kriminal.
Siç raporton për abcnews.al gazetarja Glidona Daci, prokuroria ka vërtetuar se është pikërisht e dashura e Behar Bajrit ajo që ka bërë rolin e korrieres duke marrë urdhra prej kokës së grupit, të cilat më pas ia transmetonte të tjerëve në Shqipëri.
Prokuroria pretendon se ka mjaft fakte të reja, si foto dhe video që faktojnë se Jorida Murati bënte korrieren dhe Behar Bajri kontrollonte grupin nga burgu.
Sipas porganit të akuzës, Jorida Murati shkonte rregullisht për të takuar Behar Bajrin në Holandë dhe porositë e tij ia përcillte pjesës tjetër të grupit.
Ndërkohë një tjetër femër është e përfshirë, e cila kryente punësim te paligjshme në OSHEE e Shkodrës për llogari të grupit kriminal Bajri. Bëhet fjalë për F.Gj e dashura tjeter e Behar Bajrit. Edhe kjo punësonte njerëz fiktivisht në OSHEE-në e Shkodrës, për llogari të grupit “Bajri”.
Gjykata e Shkallës së Parë e Krimeve të Rënda Tiranë, pranoi dje kërkesën e mbrojtësit avokatit Arbër Hoxha dhe 4 anëtarëve të grupit “Bajri” për shuarjen e masës së sigurisë të vitit 2018, për shkak të mbarimit të afateve të paraburgimit. Megjithatë, anëtarët e grupit Bajri do të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim, pasi ndaj tyre, mbetet në fuqi masa e sigurisë “arrest me burg” dhënë të mërkurën.
4 anëtarët e grupit Bajri u arrestuan në kuadër të operacionit “Oaz”. Po sipas hetimeve, anëtarë të grupit Bajri, në bashkëpunimin me njëri-tjetrin kanë përfituar shuma parash nëpërmjet kanosjes dhe shtrëngimit ndaj dy shtetasve./abcnews.al