Presidenti i SHBA, Joe Biden i ka kërkuar Izraelit që të ndalojë së qëlluari ndaj paqeruajtësve të OKB-së gjatë konfliktit të tij me Hezbollahun në Liban, pas dy incidenteve në 48 orë.
Të premten, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se trupat e saj ishin përgjegjëse për incidentin, në të cilin u plagosën dy ushtarë nga Sri Lanka për Forcën e Përkohshme të OKB-së në Liban (Unifil).
Ushtarët e IDF që operojnë rreth bazës Unifil në Naqoura identifikuan një kërcënim dhe hapën zjarr, tha ushtria izraelite, duke shtuar se incidenti do të hetohej “në nivelet më të larta”.
Të enjten, dy ushtarët indonezianë të Unfilit u plagosën duke rënë nga një kullë vëzhgimi pasi një tank izraelit qëlloi drejt saj.
Udhëheqësit e Francës, Italisë dhe Spanjës lëshuan një deklaratë të përbashkët duke dënuar veprimet e Izraelit dhe duke thënë se ato ishin të pajustifikueshme.
Kreu i paqeruajtësve të OKB-së tha se kishte arsye për të besuar se disa të shtëna në pozicionet e OKB-së në Libanin jugor kanë qenë të drejtpërdrejta.
“Për shembull, ne kemi një rast kur një kullë u godit dhe gjithashtu dëmtime të kamerave në një nga pozicionet – që padyshim për ne dukej shumë si zjarri i drejtpërdrejtë,” tha Jean-Pierre Lacroix për programin Newshour të BBC-së./abcnews.al