Avokati Idajet Beqiri komentoi në “Tirana Live” në ABC News protestën e zhvilluar nga opozita të hënën në kryeqytet. Avokati e quajti një dështim, ndërsa e cilësoi se një kryengritje dhe jo një protestë duke shtuar se udhëheqësit duhet të dënohen.
“Protestë nuk quhet, ambasada amerikane e konsideroi demonstratë dhe në këtë drejtim e paralajmëroi Sali Berisha se çfarë do të ishte. Ai tha se do të përdoren të gjitha llojet e mjeteve të mosbindjes civile. Por në fakt mosbindje civile aty nuk kishte. Dje pamë që Berisha hodhi në veprim organizatën e tij kriminale. Aty nuk ishte as PD, demokratët nuk ishin në atë akt të djeshëm. Ajo nuk ishte protestë, por është kryengritje dhe parashikohet dënim me burg. Ata që e udhëheqin një kryengritje të tillë burgimin e kanë të përjetshëm. Aty nuk është problemi se u bë një manifestim. Aty u sulmuan institucionet e shtetit, u dogj Kryeministria u sulmua Policia e Shtetit, pati të plagosur.
Vandalizmi arrin në përmasa sa nuk lejon qytetarët të bëjnë jetën normale, por arrin në ekstrem që të lindin gratë në rrugë sepse t’i bllokon rrugët e këtij shteti. Si mund të bllokohet dhe sulmohet ambulanca? Çfarë përfaqësojnë këta? Unë kam thënë që kemi të bëjmë me një organizate kriminale, dhe ju patë ata me maska, ata janë të al kaedës, kanë ardhur 200 dje nga jashtë kufirit brenda. Ne kemi pjesëtar dhe Berisha i ka pajisur me pasaporta, kur i pranoi nga Bin laden. Po nuk u vendos pika mbi i dhe nuk u cilësua kjo vepër penale, kryengritje Shqipëria dhe shqiptarët do të vuajnë pasoja të rënda”, tha ai.
Më tej ai nënvizoi se opozita ka marrë ndëshkim të plotë nga qytetarët, duke shtuar se demokratët nuk votojnë alternativa zjarrvënëse dhe vrasëse për shqiptarët.
“Kemi të bëjmë me një organizatë kriminale që ndëshkimin nga qytetarët e kanë marrë të plotë. Demokratët kurrë nuk votojnë për alternativa të tilla zjarrvënëse dhe vrasëse për shqiptarët”, u shpreh më tej avokati Idajet Beqiri.
/abcnews.al/