Gjykata e Drejtësisë e BE-së vendosi sot se në vlerësimin individual të kërkesës për azil të një gruaje afgane, shteti anëtar mund të marrë parasysh vetëm gjininë dhe kombësinë e saj. Sipas Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, masat e regjimit taleban që diskriminojnë gratë përbëjnë akte persekutimi.
Ky është vendimi i Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, ndaj një kërkese të Gjykatës së Lartë Administrative të Austrisë, pas refuzimit të autoriteteve austriake për t’i dhënë statusin e refugjatit dy grave me kombësi afgane. Dy gratë pohojnë se gjendja e grave në Afganistan nën regjimin e ri të talebanëve justifikon, në vetvete, dhënien e statusit të refugjatit.
Sipas gjykatës austriake, kthimi i talebanëve në pushtet në vitin 2021 ka dëmtuar rëndë të drejtat themelore të grave. Janë marrë shumë masa diskriminuese në të cilat, për shembull, grave u mohohet çdo mbrojtje ligjore kundër dhunës me bazë gjinore dhe në familje si dhe u kërkohet të mbulojnë plotësisht trupin dhe fytyrën e tyre. Qasja e tyre në kujdesin shëndetësor kufizohet gjithashtu si dhe u ndalohet ushtrimi i veprimtarisë profesionale, qasja në arsim dhe përjashtohen nga jeta politike.
Gjykata austriake pyeti Gjykatën e Drejtësisë së BE-së nëse masat e lartpërmendura të talebanëve, të konsideruara në tërësi, mund të karakterizohen si akte persekutimi.
Gjykata e Drejtësisë së BE-së përgjigjet se disa nga masat e kontestuara të talebanëve duhet të karakterizohen si “akte persekutimi” në vetvete, pasi ato përbëjnë një shkelje të rëndë të një të drejte themelore. Kjo vlen për martesën e detyruar, e cila mund të barazohet me një formë skllavërie, dhe për mungesën e mbrojtjes nga dhuna me bazë gjinore dhe në familje, e cila përbën një formë trajtimi çnjerëzor dhe poshtërues.
Gjykata vlerëson se, në tërësi, këto masa përbëjnë akte të tilla. Për shkak të efektit të tyre kumulativ dhe zbatimit të tyre të qëllimshëm dhe sistematik, ato rezultojnë në mohimin flagrant të të drejtave themelore që lidhen me dinjitetin njerëzor.
Në lidhje me shqyrtimin individual të kërkesës për azil të një shtetaseje afgane, Gjykata merr parasysh situatën e grave nën regjimin aktual taleban, siç përshkruhet veçanërisht në raportet e Agjencisë së Bashkimit Evropian për Azilin (EUAA) dhe Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR). Gjykata vlerëson se autoritetet kompetente të Shteteve Anëtare mund të konsiderojnë se nuk është e nevojshme të provohet se kërkuesi ka një rrezik real dhe konkret të vuajtjes së akteve të persekutimit në rast të kthimit në vendin e saj të origjinës. Mjafton thjesht të marrësh parasysh kombësinë dhe gjininë e saj.
/abcnews.al