Policia e Shtetit tashmë është në duar të reja. Këtë gjë deklaroi ministri i Brendshëm Ervin Hoxha teksa prezantoi drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Kjo është hera e parë që kreu i policisë zgjidhet me konkurs dhe të mërkurën, Këshilli i Ministrave miratoi emrin e Prodës në krye të uniformave blu.
“Kemi nisur sot procesin e dorëzimit të stafetës në duart e një gjenerate të re drejtuesish, të cilët kanë fatin ta nisin punën nga një stad tjetër në krahasim me paraardhësit e tyre. Kjo gjeneratë drejtuesish i ka të gjitha kushtet për ta ngritur Policinë e Shtetit në rangun e trupave më të mira të Bashkimit Evropian.”
Ministri Hoxha tha se me konkurs të ngjashëm, do të zgjidhen edhe drejtorët e qarqeve dhe ato të departamenteve përkatëse.
“Emërimi i z. Proda në këtë detyrë është hapi i parë, që do të pasohet nga një sërë ndryshimesh në qendër e Drejtoritë Vendore, që do të plotësojnë kuadrin e reformave që kemi nisur. Përfitoj nga rasti t’i kumtoj çdo oficeri të Policisë së Shtetit, se në procesin e përzgjedhjes së drejtuesve, nuk do të ndikojë asnjë faktor tjetër, përpos meritës dhe integritetit.”
Ilir Proda ka një karrierë 19 vjeçare në Policinë e Shtetit. Së fundmi ai mbante postin e drejtorit në Policinë e Elbasanit./abcnews.al