TIRANË- Identifikohet një nga autorët e dyshuar të atentatit të ndodhur pasditen e 3 shtatorit në “Don Bosko”, ku mbetën të plagosur Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi.
Nëpërmjet provave biologjike të mbledhura në vendngjarje por edhe nga kamerat e sigurisë, policia e Tiranës ka mundur të zbulojë një nga tre autorët e dyshuar, emri i të cilit mbahet sekret nga grupi hetimor.
Edhe pse policia ka emrin e një prej të dyshuarve, ende nuk i është drejtuar gjykatës për t’i caktuar masë sigurie arrest në burg, pasi po mbahet nën vëzhgim për të zbuluar edhe bashkëpunëtorët e tjerë.
Policia e Tiranës është ende në pritje të letërporosisë nga Kosova, në lidhje me mjetin tip golf 5 që autorët përdorën në ngjarje.
Ky automjet kishte hyrë në vendin tonë nga pika kufitare e morinës, pa u kontrolluar nga autoritetet, dhe targat e vendosura në të ishin vjedhur në nja garazh në zonën e Valiasit, në kryeqytet.
/abcnews.al/