Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në detyrë, Drejtues i Lartë Sokol Bizhga, E Ngarkuara me Punë, në detyrë, në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Kathryn Hammond dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, shpërndanë certifikatat për 13 punonjësit e Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të cilët ndoqën kursin me temë “Menaxhimi për Hetimin e Terrorizmit”.
Ky trajnim u organizua në bashkëpunim me Zyrën Rajonale të Sigurisë në U.S. Embassy Tirana.
Gjatë ceremonisë së organizuar, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në detyrë, Drejtues i Lartë Sokol Bizhga, falënderoi Ambasadën Amerikane për asistencën e dhënë dhe Zyrën Rajonale të Sigurisë për bashkëpunimin me Policinë e Shtetit në shumë fusha me ndikim në rritjen e nivelit të sigurisë në vend.
Drejtues i Lartë Sokol Bizhga nënvizoi nevojën e trajnimit të vazhdueshëm për punonjësit e policisë të angazhuar në strukturat e antiterrorit, me qëllim rritjen e kapaciteteve profesionale për të përballuar sfidat e reja.
E Ngarkuara me Punë, në detyrë, në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Kathryn Hammond, vlerësoi bashkëpunimin me Policinë e Shtetit dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, duke nënvizuar rëndësinë e hetimeve të terrorizmit për goditjen e këtij kërcënimi.
Zj. Kathryn Hammond u shpreh se shpeshherë këto hetime zgjasin në kohë, por kjo nuk duhet të dekurajojë punonjësit e angazhuar për të siguruar rezultate konkrete.