“Topi i Artë” për Vinicius/ Sipas “Marca”, sulmuesi brazilian ka fituar trofeun prestigjoz

schedule14:43 - 24 Shtator, 2024

schedule 14:43 - 24 Shtator, 2024

Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo nuk janë më. Pasi dominuan për më shumë se 15 vjet skenën e “Topit të Artë”, ata i kanë hapur rrugën brezit të ri të yjeve të futbollit, ndërsa ai që do të marrë i pari stafetën duket se do të jetë Vinicius Junior.

E sigurt për këtë është e përditëshmja spanjolle “Marca”.

Sipas saj, sulmuesi i Real Madrid e ka fituar garën e fortë për trofeun më të rëndësishëm individual të futbollit, duke lënë pas lojtarë si Rodri, Mbappe, Bellingham apo Lautaro Martinez.

Duke qëndruar në atë që trumbeton që në faqen e parë gazeta iberike, Vinicius Junior ka marrë që tani shumicën e votave nga trajnerët e kapitenët e kombëtareve si dhe ato të gazetarëve sportivë nga e gjithë bota që janë të akredituar nga “France Football”.

Nëse kjo është e vërtetë, ai do të bëhej braziliani i parë që fiton “Topin e Artë” pas 17 vitesh. I fundit ishte Rikardo Kaka në vitin 2007.

Vinicius Junior shihej që në fillim mes pesë kandidatëve kryesorë për trofeun, pas një sezoni fantastik me Real Madrid, ku shënoi 26 gola dhe dha 12 asist për të fituar La Liga, Champions League, Superkupën e Europës dhe atë të Spanjës.

Ceremonia e “Topit të Artë 2024” do të zhvillohet më 28 tetor në teatrin “Chatelet” të Parisit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!