Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi sot nga detyra Besnik Muçin, i cili ishte dekretuar edhe si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Në vendimin e shpallur, KPA thotë se Muçi ka bërë deklarime të rreme të pasurisë duke cënuar njëkohësisht edhe besimin e publikut.
Gjithashtu, KPA thotë se Muçi ka kontakte me persona të papërshtatshëm.
Muçi ishte i pranishëm në seancë.
Në një prononcim për mediat pas vendimit, Muçi tha se nuk e njeh vendimine KPA pasi ai nuk ka kompetencë mbi anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
“Tani po përpiqem të analizoj vendimin e KPA. Vendimi nuk afekton funskionin tim si anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Kolegji nuk mund ti shtrijë kompetencat në Gjykatën Kushtetuese. Që do të thotë, se në momentin që unë kam bërë betimin te Presidenti e kam humbur statusin e prokurorit. Kolegji nuk ka pasur kompetencë për çështjen time. Në momentin që ka përfunduar statusi im si prokuror unë nuk jam më subjekt, KPA nuk ka kompetencë mbi anëtarin e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Muçi.
Me shkarkimin e Muçit nga detyra, rihapet “loja” tek Gjykata Kushtetuese, pasi tashmë mbetën sërish katër anëtarë dhe ajo nuk mund të marrë asnjë vendim. Duke qenë se vendimi i KPA është i formës së prerë, duhet që pozicioni i tij në Gjykatën Kushtetuese të zëvendësohet.
Seancën e shkuar palët dhanë konkluzionet përfundimtare. Komisioneri Publik nuk u tërhoq nga kërkesa e tij, pas vendimit të KPK-së për largimin e Muçit nga sistemi, ndërsa vetë ish-prokurori kërkoi lënien në fuqi të vendimit të KPK-së dhe konfirmimin e tij në detyrë./abcnews.al