Nuk është profili i një gjahtari.
Qazim Laçi më shumë njihet si shkatërrues dhe si “barrikadë”, por ja që ndodh që të shënojë, me mesfushorin e Kombëtares shqiptare hyri në histori sepse debutoi dhe realizoi gol në UEFA Champions League.
Ndeshja e parë në grupe, rrjeta e parë.
E vërteta është që jo vetëm për Laçin, por gola të tillë janë të rrallë për futbollistët shqiptarë në përgjithësi. Deri tani ia kanë dalë vetëm gjashtë lojtarë, dhe që të gjithë nga një herë të vetme.
I pari që ia doli ishte sulmuesi Besart Berisha, që ka qenë pjesë e kombëtares shqiptare.
Ai realizoi me fanelën e Hamburg ndaj rusëve të CSKA Moscow, gjithashtu në një ndeshje grupi në 6 dhjetor të vitit 2006. Hamburgu fitoi 3-2.
I dyti ishte ish-kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana. Mbrojtësi i qendrës pati një moment lavdie në grupet e Championsit në 16 shtator 2008, pasi realizoi në portën e Liverpool, në stadiumin “Velodrome” të Marsejës, mirëpo në fund “Të kuqtë” i mundën francezë me rezultatin, 2-1.
Më pas erdhi radha e sulmuesit Shkëlzen Gashi, njërit prej heronjve të kombëtares që u kualifikua në Euro 2016.
Gashi shënoi golin e tretë për zviceranët e Basel në fitoren 4-0 ndaj Ludogorets të Bullgarisë, në Zvicër në 4 nëntor 2014.
Traditën e vazhdoi mesfushori Taulant Xhaka, sërish në ndeshje të grupeve, dhe sërish për Basel. Ai shënoi në Moskë, në fitoren e zviceranëve 2-0 ndaj CSKA-së në 18 tetor 2017.
I fundit përpara Qazim Laçit ishte Myrto Uzuni. Sulmuesi beratas shënoi një gol të bukur në fushën e Juventusit, në grupe në 24 nëntor 2020, duke festuar si Cristiano Ronaldo. Ferencaros në fund u mund 2-1.
Vlen të theksohet se nga 6 lojtarët “kuqezinj”, shënues në Champions, katër janë nga Kosova dhe dy nga Shqipëria. /i.m /abcnews.al