Partizani kërkon zyrtarisht nga Federata që të luajë derbin ndaj Tiranës në “Arenën Air Albania”, por ka dy probleme. Fusha nuk është gati, dhe po ashtu nuk është përcaktuar ende qiraja për të zhvilluar ndeshjet aty.
Dëshira është shprehur, por përgjigja pozitive nuk do të jetë e lehtë. Partizani dëshiron nga Federata Shqiptare e Futbollit që ta luajë në “Air Albania Stadium” derbin e javës tjetër ndaj Tiranës, veçse ka një problem të dyfishtë.
Drejtori i stadiumit, Bardhyl Minxhozi, deklaroi në një bisedë telefonike me Abc Neës se së pari duhet të përcaktohen kostot për zhvillimin e ndeshjeve dhe nga kjo do të vendosen edhe tarifat. Shifrat kanë qenë të ndryshme, jo zyrtarisht, nga 8 mijë euro deri në 2 milionë lekë të reja. Gjithsesi në Federatë ende nuk kanë vendosur asgjë.
Problemi i dytë ka të bëjë me fushën, pasi ende nuk është në 100 për qind. Minxhozi u shpreh se ndeshja ndaj Francës ishte e detyrueshme që të luhej aty, por pas saj do të tregohet më shumë kujdes.
Burime në Federatë u shprehën për televizionin se dëshira është që derbi të jetë pikërisht aty, pasi ai është stadium futbolli, por reshjet e shiut të këtyre ditëve nuk po ndihmojnë aspak përmirësimin e fushës.
Gjithsesi, shpresa është që deri pas dy javësh tapeti të jetë gati. Ndeshja e kësaj jave ndaj Laçit u vendos që të luhet në “Elbasan Arena”, diçka që Partizani e njoftoi zyrtarisht në rrjetet sociale. Fillimisht ishin dy alternativa të tjera, por lojtarët nuk deshën stadiumin e Lushnjës, ndërsa fusha e Durrësit po ashtu pati probleme me reshjet. /ABC NEWS ALBANIA 24/7