KFOR e ka bërë të qartë, se do të ruajë praninë e përhershme mbi lumin Ibër duke theksuar se çdo vendim duhet marrë përmes dialogut.Forcat paqeruajtëse të NATO-s e bënë të qartë se vendimi për hapjen e urës mbi Lumin Ibër në Mitrovicë duhet të ndodhë vetëm përmes procesit të dialogut dhe në koordinim me faktorin ndërkombëtar. Përmes një video mesazhi, zëdhënësi i KFOR-it Koloneli Salvatore Mascoli, theskoi, se KFOR-i, do të mbajë praninë e tij të përhershme në urë.
“Për sa i përket çështjes së mundësisë së hapjes së Urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë për automjete, qëndrimi ynë ka qenë transparent dhe i qëndrueshëm gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në këtë drejtim duhet të merret përmes dialogut dhe në koordinim të duhur e efektiv me komunitetin ndërkombëtar.
KFOR-i do të mbajë praninë e tij të përhershme në urë dhe do të vazhdojë të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth”, tha zëdhënësi i KFOR-it.
“Së fundmi, disa aktivitete trajnuese janë kryer nga personeli i KFOR-it në urë. Këto ishin pjesë e aktiviteteve tona të rregullta të krijuara për të testuar procedurat operacionale afatgjatë dhe për të ruajtur standardin më të lartë të gatishmërisë së trupave tona. Ne jemi të vendosur mirë për të adresuar çdo skenar sigurie dhe për të vazhduar zbatimin efektiv të mandatit tonë të OKB-së”, tha zëdhënësi Mascoli.