E cilësuan ditë historike.
Natyrisht, është e veçantë kur në Shqipëri zbarkon Mançester Siti, sidomos me një projekt që në Europë e quajnë “rrënjët”, pra krijimi I futbollistëve për të ardhmen.
Një bashkëpunim me kampionen e Anglisë nisi zyrtarisht rrugën e tij, me emrin Akademia “Dyrrah Siti”.
Në përurim ishte kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, drejtues të drejtorisë së sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, si dhe njerëzit e Mançester Sitit.
Zhorgina Buskets, drejtoreshë e menaxhimit të futbollit në “Siti Grup” foli e para prej palës angleze.
“Është një kënaqësi tepër e madhe të jem këtu në këtë ditë të veçantë, kur ne po përurojmë Shkollën e futbollit të Mancester Sitit në Durrës. Ekipi ynë ka punuar këtu për më shumë se një vit. E gjitha kjo nuk do të ishte e mundur pa zyrën e kryeministrit, pa Ministrinë e Sporteve, bashkinë dhe çdo pjesëmarrës tjetër në projekt. Natyrisht, kemi ende shumë për të bërë në ditët në vazhdim, sepse ne jemi në fillimet tona. Ne kemi trajnerët, dhe do të kemi edhe nga Mancesteri, ju do t’i takoni ata. Ne kemi gjënë më të rëndësishme, fëmijët, kemi prindërit e tyre, kemi edhe infrastrukturën. Pra ne mund të nisim nga puna. Nuk dija shumë për Shqipërinë, por më duhet të them se jam e mahnitur nga vizioni dhe përkushtimi i gjithë ekipit”.
Njëri nga më të rëndësishmit është Gavin Rouds, që ka ardhur 6 apo 7 herë në Shqipëri, shef I operacioneve të futbollit tek Siti.
“Unë dua që t’iu njoh me dy trajnerët që kanë ardhur nga Anglia, për t’u mësuar programin fëmijëve tuaj. Ky është Beni, që do të jetë kryetrajneri i programit tonë, dhe ky është Xhoni, është ndihmësi i tij. Do të jetë edhe një trajner i tretë, që do të bashkohet me ta tani në shtator. Një pjesë shumë e rëndësishme e projektit është që ne do të ndihmojmë kualifikimin e trajnerëve vendas këtu në Shqipëri. Unë mund t’iu premtoj prindërve që janë këtu, që kjo platformë do t’i ndihmojë fëmijët e tyre që të bëhen futbollistë dhe njerëz shumë të mirë”.
Një nga fëmijët e regjistruar në Akademi është Roi Poda.
Në stafin prej 8 trajnerësh është një emër I njohur, si ish-portieri I Tiranës dhe kombëtares, Isli Hidi.
Akademia e re për momentin ka rreth 100 fëmijë nga 7 deri në 14 vjeç, ndërsa pritet që numri të arrijë në 240.
Për një vit, ekipet do të stërviten në Parkun Olimpik në Durrës, ndërsa pritet të ndërtohet kompleksi I plotë në të njëjtën zonë./abcnews.al