Ukraina ka nevojë për “vendime të fuqishme” nga partnerët e vet për ta ndaluar terrorin që Rusia është duke e kryer në Ukrainë, tha të premten vonë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, pasi një sulm rus goditi një ndërtesë banimi dhe një kopsht, duke lënë të vdekur gjashtë njerëz.
“Ky sulm u krye nga një bombë ajrore ruse. Ky sulm nuk do të kishte ndodhur sikur forcat tona të mbrojtjes të kishin pasur aftësi t’i shkatërrojnë avionët luftarakë rusë në bazat e tyre. Ne kemi nevojë për zgjidhje të fuqishme nga partnerët tanë për ta ndaluar këtë terror. Nuk ka arsye racionale për ta kufizuar Ukrainën në mbrojtje. Ne kemi nevojë për armë me rreze të gjata veprimi”, tha Zelensky në Telegram.
Zelensky e publikoi edhe një video e cila shfaq vetura në një parking duke u djegur nga zjarri dhe tym duke dalë nga katet e mesme dhe të larta të një ndërtese.
Ai gjithashtu theksoi marrëveshjet që Ukraina i ka arritur me partnerët e vet për dhurimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore duhet të zbatohen patjetër.
Sulmi ajror në Harkiv e goditi hyrjen e një ndërtese 12-katëshe në qarkun industrial të qytetit, thanë autoritetet lokale.
Një vajzë 14-vjeçare është në mesin e gjashtë njerëzve të vrarë, tha guvernatori rajonal, Oleh Synyehubov.
Ai tha se 47 njerëz të tjerë u plagosën. Më herët, ai tha se rreth 20 nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë.
Nuk është e mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur këto pretendime.
Harkivi ka qenë në qendër të bombardimeve ruse në të kaluarën, por ka pasur një rënie të intensitetit në javët e fundit. /rel