Superiorja në fokusin e Armand Dukës. Në emisionin “Pressing” në ABC News, ai foli për bilancet dhe licencimet dhe përçoi një mesazh për klubet, që sipas kreut të FSHF duhet të prodhojnë futboll për aq sa kanë mundësi.
“Klubet nuk kanë pse të jenë në kushte të vështira financiare. të ruajnë bilancet, të prodhojnë futboll me aq sa kanë. Mos të bëjnë blerje jashtë mundësive, le t’i shtrijnë këmbët sa kanë jorganin. Nëse nuk kanë para, të luajnë në një kategori më poshtë. Me rëndësi në atë zonë është të luhet futboll dhe në ekipe të ketë sa më shumë vendas. Kjo është gjëja më e mirë.
Bilancet negative nuk i bëjnë mirë askujt. Patjetër që ka klube me bilance negative. Mundohemi t;i kanalizojmë në drejtimin e duhur. Nuk ka probleme vetëm Flamurtari. Nuk ka një zgjidhje mes administratorit dhe bashkisë. Sa di unë nuk ka një harmoni të plotë. Ka edhe klube të vogla që financojnë në mënyrë të padrejtë”, u shpreh Duka.
“Viti zero për licencimet? Nuk ka vit zero, ka gjithmonë progres. Çdo vit vendosen objektiva, e rritim stekën. Idealja nuk arrihet. Nuk ka tolerime. Te bilanci kuptohet që nuk ka toleranca”.
“Tifozët në Superiore? Ka raste që stadiumet janë plot, kryesisht në derbi. Ka raste që nuk ka as 50% të kapacitetit. Nuk ka të bëjë vetëm me nivelin e lojës. Ka kampionate të tjera ku niveli është i njëjtë, por stadiumi është plot. Mbase ka të bëjë me promocionin. Edhe dyshimet për garën ndikojnë. Në një vend ku nuk besohet në asgjë, patjetër mendojmë që edhe teatri është i manipuluar. Kam parë edhe teatro bosh”.
“Ekipet e Superiores në stadiumin e ri? Kukësi po ndërton impiantin e ri dhe nuk mendoj se do të luajë në Tiranë. Unë nuk jam në gjendje të them kostot e stadiumit, por politika është e tillë: Klubeve tona t’iu ofrohen non-kosto”. /abcnews.al