Ukraina: Nuk kemi parë lëvizje të trupave bjelloruse afër kufirit

schedule15:41 - 22 Gusht, 2024

schedule 15:41 - 22 Gusht, 2024

Shërbimi kufitar i Ukrainës tha të enjten se Kievi nuk ka parë shenja të trupave bjelloruse, apo lëvizje të pajisjeve të rënda ushtarake në afri të kufirit me Bjellorusinë, pasi Minsku kishte njoftuar ditë më parë dërgimin e forcave shtesë në atë zonë.

Presidenti i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, tha të dielën se gati një e treta e forcave të armatosura bjelloruse janë zhvendosur përgjatë kufirit, duke pretenduar se Kievi i kishte vendosur mbi 120.000 trupa atje.

Por, zëdhënësi i shërbimit kufitar ukrainas, Andriy Demchenko, tha për televizionin kombëtar se “ne nuk po shohim ndonjë lëvizje në afërsi të kufirit tonë – as të personelit e as të pajisjeve ushtarake”.

Ai shtoi se gjendja në afërsi të kufirit bjellorus “nuk ka ndryshuar përgjithësisht”.

Të hënën, Andrei Lukyanovich, komandat i mbrojtjes ajrore të Bjellorusisë, tha se forcat ajrore e kanë “rritur shumë” praninë në afërsi të kufirit.

Raketa kundërajrore dhe trupat e forcës ajrore janë vendosur atje, sipas tij.

Pak ditë pasi Ukraina e nisi një inkursion befasues në territorin e Rusisë më 6 gusht, Lukashenka – aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin – sugjeroi, pa e dhënë asnjë dëshmi, se Kievi mund të ketë qëllime për ta sulmuar Bjellorusinë.

Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022 dhe tani ka nën kontroll rreth 18 për qind të territorit të saj në lindje dhe jug.

Bjellorusia kufizohet me Ukrainën në veriperëndim. /REL