Sekuestrohen pasuri të Beqajt/ SPAK bllokon aksionet në një biznes, dy makina dhe llogari bankare

schedule15:07 - 21 Gusht, 2024

schedule 15:07 - 21 Gusht, 2024

Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar 14 milion lekë, 15 mijë euro dhe 42 mijë dollarë pas hetimeve të nisura në  lidhje me abuzimet për donacionet e huaja njohur ndryshe si SASPAC që drejtohej nga ish-ministri Ilir Beqaj.

Nga hetimet ka rezultuar se këto shuma parash janë zbuluar në llogari bankare që i përkasin personave nën hetim Gazmend Haxhia, Elton Marini, Ilir Beqaj, Ermal Kurtulaj, Bjona Ziaj dhe Bledar Leka dhe shoqërive tregtare në pronësi të tyre. Në sekuestro është vendosur edhe mbi 19.4% të kuotave të shoqërisë tregtare “Albanian Food and Hospitality Services” sh.p.k. që ka në pronësi edhe restorantin GZONA ku dyshohet se janë lëshuar fatura fiktive.

Sipas hetimeve aksionarë në këtë kompani ka qenë edhe Ardiana Beqaj, bashkëshortja e ish drejtorit të SASPAC Ilir Beqaj. Ndërsa spak ka dyshime se kompania në të vërtetë është në pronësi të Beqajt. Ndërkohë nën sekuestro janë vënë dhe tre automjete regjistruar në pronësi të personave nën hetim Ermal Kurtulaj dhe Elton Marini. Më herët gjatë operacionit për abuzimin me donacionet e huaja, SPAK ka sekuestruar edhe 47 mijë euro dhe 7 qind mijë lekë gjatë kontrolleve të banesave të personave të akuzuar.

Ilir Beqaj mbahet i arrestuar prej 4 korrikut, pasi SPAK e akuzon atë për mashtrim, korrupsion, shkelje të barazisë në tendera dhe fshehje pasurie.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!