“Policia nuk fshehu ngjarjen”/ Vrasja në Pogradec, Rrumbullaku: Akuzat, pa bazë

schedule11:47 - 14 Gusht, 2024

schedule 11:47 - 14 Gusht, 2024

Policia e Shtetit, ka hedhur poshtë akuzat e bëra ndaj tyre, për fshehjen e të vërtetës së vrasjes së 42-vjeçarit Egli Proga pasditen e 10 gushtit nga Denis Meçe në Pogradec.

Drejtori i policisë, Muhamet Rrumbullaku tha se policia ka vepruar në kohë dhe me transparence për ngjarjen, ndërsa tha se referimi në prokurori është bërë për veprën penale “vrasje me dashje”.

Nga ana tjetër, në një deklaratë për mediat, drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka sqaruar se ambulanca ka mbërritur për 7 minuta në vendin e ngjarjes.

Lidhur më ngjarjen në Pogradec një reagim ka ardhur edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili shprehet se Policia dhe Urgjenca kanë kryer detyrën e tyre me profesionalizëm. Rama thekson se “Vrasja nga pakujdesia” e ngritur si akuzë nga Prokuroria, tingëllon e pakuptueshme por shton se kjo nuk ka lidhje me Policinë e Shtetit dhe Urgjencën Kombëtare.

“Në fakt të gjitha provat tregojnë e dokumentuara, qoftë të operacionit policor e qoftë të sistemit elektronik të Urgjencës Kombëtare tregojnë, se Policia e arrestoi në kohë rekord autorin për “Vrasje me dashje” dhe Urgjenca iu përgjigj në 7 minuta thirrjes për ndihmë! “Vrasja nga pakujdesia” e ngritur si akuzë nga Prokuroria, e cila tingëllon e pakuptueshme  për këdo që është njohur me dinamikën e kësaj ngjarjeje tragjike, nuk ka asnjë lidhje me Policinë e Shtetit apo me punonjësit e urgjencës, të cilët e kanë kryer detyrën me profesionalizëm dhe integritet të plotë ligjor e moral.”

Prokuroria e Korçës, zbuti akuzën ndaj të arrestuarit Denis Meçe, nga ajo e vrasjes me dashje në vrasje nga pakujdesia. Denis Mece u la në burg nga gjykata e Korçës më 13 gushte, ndërsa tre personat e arrestuar për moskallëzim krimi u liruan nga qelia dhe ndaj tyre u caktua masa e sigurisë “detyrim paraqitje” ./abcnews.al