Kryeministri japonez Fumio Kishida njoftoi se nuk do të kandidojë për udhëheqjen e partisë së tij muajin e ardhshëm, duke i dhënë fund mandatit të tij në detyrë. Ai tha se është e rëndësishme që Partia Liberal Demokratike (LDP) të ketë një fytyrë të re në udhëheqje dhe se hapi i parë do të ishte që ai të tërhiqej.
67-vjeçari pritet të japë dorëheqjen si kryeministër pasi partia të zgjedhë një drejtues të ri në shtator.
“Në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, është e nevojshme t’i tregojmë njerëzve se Partia Liberal Demokratike do të ndryshojë,” tha Kishida në një konferencë shtypi të mërkurën duke njoftuar vendimin e tij.
“Politika nuk mund të funksionojë pa besimin e publikut. Tani do të fokusohem në mbështetjen e kreut të sapozgjedhur të LDP-së si anëtar i radhës i partisë”, shtoi më tej kryeministri japonez.
Vendimi i Kishidës do të shkaktojë një garë për ta zëvendësuar atë si president partie, me fituesin që do të miratohet si kryeministër nga parlamenti i kontrolluar nga LDP.
Midis atyre që përmenden si pasardhës të mundshëm janë Shigeru Ishiba, një ish-sekretar i mbrojtjes nga qendra dhe Taro Kono, ministri dixhital. Gara për presidencën e LDP-së mund të përfshijë edhe kandidate femra, duke rritur mundësinë që Japonia të ketë një grua si kryeministre për herë të parë.
Partia Liberal Demokratike (LDP), dominuese në politikën japoneze për dekada, në pushtet pothuajse vazhdimisht që nga viti 1945, do të zhvillojë një proces brendapartiak për të zgjedhur udhëheqësin e ri në shtator. Kishida ka parë rënien e popullaritetit të tij për shkak të rritjes së çmimeve, të cilat po godasin rëndë familjet dhe një sërë skandalesh politike dhe ekonomike në fraksionin e tij./abcnews.al