Aron Guci është vetëm 12 vjeç, por historia e tij është një dëshmi e jashtëzakonshme e forcës, talentit dhe vullnetit për të mos u dorëzuar. Sfida e tij nisi që në muajin e 29-të të shtatzënisë, kur lindi para kohe me peshë vetëm 1500 gram dhe qëndroi 40 ditë në inkubator.
Në muajin e nëntë të jetës nisën problemet shëndetësore dhe krizat epileptike, ndërsa familja përballej edhe me diagnoza dhe trajtime që nuk dhanë rezultat. Në kërkim të një zgjidhjeje, familja Guci u drejtua drejt Gjermanisë, ku Aroni mori trajtim të specializuar dhe nisi një tjetër kapitull të jetës.
Rehabilitimi dhe fizioterapia e ndihmuan të fitojë gjithnjë e më shumë pavarësi, ndërsa sot ai lëviz, merret me aktivitete dhe luan në piano. Por Aroni nuk është vetëm një fëmijë që ka kapërcyer pengesa fizike. Ai flet katër gjuhë të huaja dhe ka një pasion të veçantë për muzikën.
Dashuria për muzikën nisi që para moshës 4-vjeçare, kur familja kuptoi se ai kishte një ndjeshmëri të veçantë ndaj ritmit dhe tingujve. Sot ai shkruan dhe kompozon vetë këngët e tij dhe ka marrë pjesë me sukses në gara e festivale.
Një prej këngëve të tij, “J.Lo Dog”, i kushtohet qenit që njohu në qendrën e rehabilitimit dhe u bë miku i tij më i mirë. Aroni tashmë ëndërron të konkurrojë edhe në festivalin e fëmijëve për Eurovision Kids.
Por ëndrra e tij nuk ndalet te muzika: së bashku me gazetarin Osman Stafa, ai është bërë pjesë e një nisme për mbledhjen e tapave plastike për të ndihmuar persona me aftësi të kufizuara.
Nga një fëmijë që luftoi për të ecur, në një muzikant që fiton çmime dhe kërkon të ndihmojë të tjerët – Aroni është shembulli se kufijtë shpesh ekzistojnë vetëm për t’u kapërcyer. Ekskluzivisht për ABC e mëngjesit, Aroni Guci prezantoi edhe videoklipin e tij të dytë./abcnews.al

