Kombëtarja shqiptare e vajzave do të luajë në muajin tetor ndaj Norvegjisë ndeshjet e raundit të parë play-off-it, të vlefshme për Kampionatin Europian për vajza “Zvicër 2025”.
Pas hedhjes së shortit nga UEFA disa ditë më parë, tashmë Federata Shqiptare e Futbollit ka arritur edhe akordin me Federatën Norvegjeze të Futbollit për datat se kur do të luhen këto dy ndeshje.
Takimi i parë do të luhet në Shqipëri, më 25 tetor 2024, teksa vendi dhe ora do të përcaktohen në ditët në vijim. Katër ditë më vonë, më 29 tetor, vajzat kuqezi do të udhëtojnë drejt Oslos për të zhvilluar ndeshjen e dytë ndaj Norvegjisë. Edhe për këtë takim, vendi dhe ora do të përcaktohen më vonë.
Në rast se skuadra kuqezi kalon me sukses Norvegjinë, në raundin e dytë të play-off-it do të përballet me fituesen e çiftit Kroaci – Irlandë e Veriut.
Përfaqësuesja shqiptare e vajzave kaloi në raundin e parë të play-off-it pas suksesit në ndeshjet kualifikuese, ku vajzat kuqezi dominuan dhe u renditën të parat në grupin C5 me 9 pikë në total. Nën drejtimin e trajnerit Armir Grima, Kombëtaja regjistroi tre fitore dhe një humbje dhe falë këtij suksesi Shqipëria e vajzave siguroi edhe ngjitjen për në Ligën B në edicionin e radhës të UEFA Nations League. /FSHF