Në një intervistë “News Line” në ABC News, Frrok Çupi analizoi ndryshimet në qeveri nga kryeministri Edi Rama. Gjatë kësaj interviste, ai nënvizoi se kryeministri tashmë ka për qëllim të kryejë punët në afatin e duhur.
Çupi u shpreh se lëvizjet e shpeshta në qeveri ndihmojnë për të ecur përpara dhe se kryeministri Edi Rama është duke bërë pikërisht këtë gjë, pasi tashmë motorët e PS janë ndezur.
“Prej kohësh po shoh që Edi Rama nuk është një kryeministër ideologjik, por ka perceptuar atë që bota perëndimore ka perceptuar shumë shpejt. Lëvizja të bën të shkosh përpara dhe kryeministri bën këtë gjë. Të mos harrojmë që jemi një popull mesdhetar. Ka zgjedhur mënyrën që herë pas here të bëjë ndryshime. Anëtarësia e PS po mësohet me faktin se nëse nuk zhvillohet, apo lëviz do të thotë se shkon prapa. E kemi thënë prej kohësh që nuk ka opozitë dhe nuk ka një alternative që nuk mbështetet në të kundërtën dhe tashmë i ka qëlluar që të bëjë edhe opozitën edhe mazhorancën, po bën edhe qarkullimin e elitave. Dihet se në mazhorancë janë elitat jo vetëm për shkak se ka fondet pa para apo luksin, por mazhoranca ka edhe moralin”, u shpreh ndër të tjera Çupi.
Gjithashtu gjatë kësaj interviste, Frrok Çupi u shpreh se tashmë Shqipëria është zhvilluar dhe ka pësuar ndryshime të mëdha.
“Mos harrojmë që vijmë nga një traditë që mjafton kostumi e kravatë, por punët duhen bërë. Shqipëria ka hyrë në një rrugë dhe është zhvilluar. Është shumë afër pranimit në BE dhe shumë afër famës së Shqipërisë politikisht po edhe ekonomikisht sa i përket turizmit. Pra tani nuk mund të kthehesh më, dhe faji i Edi Ramës është se i ka ndezur motorët shumë fuqishëm tani”, tha Frrok Çupi.
/abcnews.al/