Një sulm ajror rus në qytetin jugor ukrainas të Mikolajivit goditi një këndë lojërash, duke vrarë të paktën tre persona, përfshirë një fëmijë.
Kështu njoftoi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky më 19 korrik. Në sulm u plagosën edhe pesë persona, tha Zelensky përmes Telegramit, duke i bërë thirrje botës që të ndihmojë në ndaljen e “terrorit” rus.
Kryetari i Mikolajivit, Oleksandr Sienkovych, konfirmoi se tre persona, përshirë një fëmijë, u vranë në sulm.
Zelensky publikoi fotografi ku shfaqeshin të paktën dy trupa të pajetë pranë hyrjes së një ndërtese.
“Ky shkatërrim i jetës duhet të ndalet”, tha Zelensky. “Duhen zgjidhje të reja për të mbështetur mbrojtjen tonë. Rusia duhet të ndiejë fuqinë e botës”.
Udhëheqësi ukrainas përsëriti thirrjet drejtuar mbështetësve perëndimorë të Kievit që t’i dërgojnë shtetit më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, në mënyrë që Ukraina të mbrojë qiejt e saj nga sulmet ajrore të Rusisë.
Qyteti-port i Mikolajivit dhe rajoni përreth shpesh janë cak i sulmeve ruse. Guvernatori rajonal, Vitaliy Kim, tha se edhe një raketë tjetër goditi një zonë tjetër në këtë rajon më 19 korrik.
Rusia mohon se shënjestron civilët apo infrastrukturën civile, pavarësisht provave që dëshmojnë të kundërtën. Që kur ka nisur pushtimi rus i Ukrainës më 2022, në Ukrainë janë dokumentuar më shumë se 10.000 persona të vrarë.
Rusia më herët gjatë 19 korrikut sulmoi edhe në rajonin e Hersonit, duke vrarë një grua të moshuar.
Po ashtu, në rajonin e Harkivit, si pasojë e sulmeve ruse u plagosën të paktën shtatë persona, ndërkaq në rajonin Sumi – afër kufirit me Rusinë – u plagos edhe një civil, sipas zyrtarëve rajonalë.
Ndërkaq, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se mbrojtja e saj ajrore ka rrëzuar 19 dronë të Ukrainës mbi rajonet e Kurskut dhe Belgorodit, si dhe në Krimenë e pushtuar. /rel