Kandidati republikan për president Donald Trump dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kanë një bisedë telefonike të planifikuar për sot, thanë dy burime të mirëinformuara për CNN.
Kjo do të jetë biseda e tyre e parë që kur Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë dhe vjen mes shqetësimeve në Evropë se cila do të jetë politika e Trump për luftën në Ukrainë nëse ai fiton zgjedhjet presidenciale në nëntor, sipas rrjetit televiziv amerikan.
Burimet thanë se prej disa kohësh po zhvillohen diskutime për një kohë të përshtatshme për një bisedë telefonike mes Trump dhe Zelensky.
Javën e kaluar, kur Zelensky ishte në SHBA, ai tha se “të gjithë presin nëntorin”, përfshirë Putinin. Zelensky tha gjithashtu se Biden dhe Trump janë “shumë të ndryshëm”, por të dy mbështesin demokracinë.
Javën e kaluar, Trump u takua me kryeministrin hungarez Viktor Orban për herë të dytë në më pak se gjashtë muaj. Vizita erdhi më pak se dy javë pasi Orban u takua me Putinin në Moskë. Pas takimit, Orban u tha liderëve evropianë se Trump është “gati të veprojë si ndërmjetës i paqes” midis Rusisë dhe Ukrainës./abcnews.al

