Prokuroria e Posaçme të hënën ka thirrur për të dhënë sqarime Rajmonda dhe Mark Nikën, bashkëshorten dhe xhaxhain e Aleks Nikës që mbeti i vrarë në protestën e 21 janarit.
Rajmonda Nika është thirrur në orën 10 për të dhënë sqarime, ndërsa dy orë më vonë do të paraqitet në SPAK edhe Mark Nika. Ata i kërkuan gjykatës së lartë që hetimet për vrasjen e të afërmit të tyre të kryen nga prokuroria e posaçme ndërsa kallëzuan zyrtarë të lartë shtetërore mes të cilëve ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha dhe drejtues të lartë të gardës. Kështu SPAK pritet të thërrasë në prokurori si persona që kanë dijeni ish-kryeministrin Berisha dhe ish-ministrin Lulzim Basha.
Pas zbardhjes së vendimit të gjykatës së Lartë që urdhëroi SPAK të vijojë hetimet për 21 janarin, të martën prokuroria regjistroi hetimet për 3 vepra penale nga vrasja në rrethana cilësuese, shpërdorim detyre dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Procedimi penal është regjistruar për vrasjen e Aleks Nikës dhe plagosjen e tre protestuesve të tjerë, Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa. SPAK regjistroi hetimet pas zbardhjes së vendimit të gjykatës së lartë dhe asaj të të drejtave të njeriut me seli në Strasburg. Sipas kësaj të fundit për vrasjet e 21 janarit nuk është zbardhur roli i zinxhirit komandues të gardës dhe vrasjet janë konsideruar krim shtetëror. Po kështu në vendim thuhet se prokuroria në atë kohë është penguar për të zbardhur ngjarjen.
Nga ana tjetër SPAK i ka kërkuar prokurorisë së Tiranës që ti verë në dispozicion aktet e dosjes që po heton që prej vitit 2021 për vrasjen e Aleks Nikës.