Policia ka shmangur përsëritjen e tragjedisë së Bunës në Shkodër. Pasditen e së mërkurës një nënë ka tentuar të hidhet në lumë bashkë me katër fëmijët e saj të mitur.
Por falë ndërhyrjes së shpejtë nga patrulla e përgjithshme në zonë është penguar.
Mësohet se 27-vjeçarja ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike, në kushtet e depresionit pas nisjes së procedurave të divorcit nga bashkëshorti. Këtë të mërkurë ajo është larguar nga banesa sëbashku me vogëlushët e saj, 7, 5, 3 dhe një vjeç duke shkuar në bregun e lumit Buna.
Të frikësuar nga ndonjë veprim i rëndë që mund të kryente familjarët kanë njoftuar menjëherë sallën operative të policisë së Shkodrës. Ndërsa banorët në afërsi të Lumit kanë sinjalizuar policinë për vendndodhjen e saj.
Menjëherë shërbimet që patrullonin në zonë kanë penguar nënën me 4 të miturit e saj që po tentonte të hidhej në Bunë.
27-vjeçarja dhe fëmijët e saj u shoqëruan në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër, ndërsa kanë nisur hetimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Po në Lumin Buna në Shkodër, dy muaj më parë Alma Arrazi bashkë me tre fëmijët e saj të mitur u hodh nga ura e Bunës, duke gjetur vdekjen.
/abcnews.al/