Kosovë/ Dënohet me 15 vite burg i akuzuari për pjesëmarrje në masakrën e Izbicës

schedule17:20 - 12 Korrik, 2024

schedule 17:20 - 12 Korrik, 2024

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 15 vjet burgim Muhamet Alidemajn të premten, pasi e shpalli fajtor për pjesëmarrje në kryerjen e masakrës së Izbicës, ku forcat serbe vranë mbi 130 njerëz në luftën e vitit 1998-’99.

“I akuzuari M.A., me dashje dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, shkeli rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës kundër popullsisë civile dhe pasurisë së tyre”, tha gjykata në një njoftim të premten.

Në masakrën e Izbicës – fshat në Skenderaj në veriperëndim të Prishtinës, forcat serbe i vranë mbi 130 shqiptarë, në mars të vitit 1999.
Alidemaj u arrestua në mars të vitit 2021 dhe prej atëherë është mbajtur në paraburgim. Koha e kaluar në paraburgim do t’i llogaritet në vuajtjen e dënimit me burgim.

Alidemaj, së bashku me forcat ushtarake dhe policore serbe, i ndanë gratë dhe fëmijët nën moshën 12 vjeçare nga turma dhe nën kërcënimin e armëve i detyruan të shkojnë në drejtim të Shqipërisë, ndërsa burrat e mbetur i ekzekutuan me armë automatike, duke i vrarë 130 njerëz në Izbicë në mars 1999, tha gjykata.

Ai u shpall fajtor edhe për pjesëmarrje në trajtim çnjerëzor, cenim të integritetit trupor dhe të shëndetit, zhvendosje, grabitje dhe shkatërrim të pasurisë civile.

Alidemaj – i cili është shtetas i Serbisë i nacionalitetit shqiptar – i ka mohuar akuzat.

Ai ka të drejtë të ankohet ndaj dënimit me burgim.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-’99 u vrarë më shumë se 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë u zhdukën.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!