Kandidati i Partisë Socialiste për zgjedhjet e parakohshme, Vangjel Tavo u pyet në emisionin “Real Story” nëse ndihet patriot shqiptar.
Përgjigja e tij ishte po, duke argumentuar se nuk është ekstremist nacionalist i asnjë pale, as i palës greke dhe as shqiptare.
Pyetja: Unë kam vetëm një pyetje të fundit pak me humor, pak me ngacmim, pak me seriozitet. Mbrëmë kisha Shpëtim Idrizin në studio në intervistë dhe i kërkova zotit Idrizi, se çfarë thoni për kandidaturën e zotit Tavo që vjen nga mazhoranca dhe cila është ideja juaj. Ai kishte disa ide të tjera, por kur erdhi puna te ju, po e perifrazojë pak, njeri i jashtëzakonshëm, ju vlerësoj nga ana personale dhe politike, dhe tha që mbështetja jonë modeste publike është për emrin e Zotit Tavo, për bashkinë e Himarës. Edhe në këto momente unë po ju bëj një pyetje.
Ju keni dy shtetësinë, greke dhe shqiptare. Nga etnia jeni grek, keni kryer funksione publike shqiptare, po kandidoni për një vend shumë të rëndësishëm. A ndjeheni ju patriot shqiptar?
Tavo: Çfarë përgjigje pret Sokol? Unë jam patriot shqiptar padyshim dhe po aq patriot grek padyshim, nuk jam ekstremist nacionalist i asnjë pale, Sokol. Asnjëherë nuk kanë gjetur mbështetje te unë, idetë nacioliste. Padyshim që jam patriot dhe kam kontribuar për këtë vend, për këtë popull në të gjithë jetën time për aq kohë sa kam pasur mundësinë që të isha dhe përfaqësues. Unë padyshim kam kontribuar për zonën time, për vendlindjen time Dropullin, por mos harroni unë kam qene dhe aq deputet dhe i Labirisë, Lunxhërisë, Zagorisë, Libohovës, Tepelenës dhe Përmetit. Për mua është një pyetje që nuk duhet bërë fare, për një njeri që ka kontribuar kaq vite në politikë dhe kaq vite ndaj një komuniteti, i cili nuk ka qene vetëm pjesë e minoriteti, por edhe pjesë tjetër shqiptare në zonën time elektorale. Nuk gjejnë dot mbështetje te unë teoritë ekstremiste nacionaliste. Unë asnjëherë nuk kam qene i tillë dhe kuptohet nuk mund të bëhem sot./abcnews.al