Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Energjetikes dhe Infrastrukturës Belinda Balluku ishte pjesë ne ankandit fotovoltaik hibrid.
Balluku u shpreh se Shqipëria nuk angazhon asnjë aset shtetëror, ndërsa shtoi se çmimi s’mund të jetë më i lartë se tavani i vendosur nga shteti.
Ndër të tjera zv.kryeministrja theksoi se përdorimi i energjisë së rinovueshme është një praktikë e perëndimit.
Fjala e plotë e Ballukut:
Projektet tona ambicioze në sektorin elektroenergjetik na kanë bërë sërish bashkë këtu sot në këtë ditë të nxehtë korriku, kur temperaturat kanë arritur rekorde, si për të na treguar që Shqipëria ka kapacitete edhe më shumë për të prodhuar nga parqet fotovolatike.
Sot është një ditë mjaft e rëndësishme për sektorin elektroenergjetik shqiptar, pasi është kurorëzimi i një pune të gjatë dhe sfiduese për një nga projektet më të rëndësishme, përsa i përket drejtimit dhe sigurisht rritjes së sigurisë energjetike, e cila ashtu siç unë e përsëris shpeshherë, në vitin 2022 na u tregua qartësisht që energjia është arma tashmë dhe nuk janë më armët konvencionale ato që dominojnë botën.
Sot këtu të gjithë së bashku duhet të shpallim fituesin apo fituesit e ankandit më të madh fotovoltaik të zhvilluar deri më tash në vendin tonë, një ankand prej 300 megavatorësh, duke hedhur një hap tjetër shumë të rëndësishëm në politikat e shtetit shqiptar për shndërrimin e vendit tonë në një vend eksportues neto të energjisë. Tashmë vendi ynë është vlerësuar nga të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë si një histori suksesi në zhvillimin e ankandeve të hapura, për ndërtimin e burimeve të rinovueshme të energjisë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendet anëtare të Komunitetit të Energjisë, duke u marrë shembull reference në këtë drejtim.
Në këtë proces kemi aplikuar dhe ndjekur praktikat më të mira ndërkombëtare, duke pasur në çdo hap mbështetjen dhe konsulencën profesionale të BERZH, si dhe asistencën e Ambasadës Zviceriane, përmes SECO, të cilët gjej rastin ti falënderoj, pasi tashmë janë kthyer në partnerët tanë tradicionalë për zhvillimin e fushës energjetike shqiptare. Pikërisht transparenca dhe korrektësia që kemi ndjekur gjatë këtyre proceseve, ka bërë që të sigurojmë një pjesëmarrje domethënëse të kompanive të mëdha prestigjioze ndërkombëtare në fushën elektroenergjetike.
Është rasti këtu të kujtojmë rrugëtimin që kemi bërë së bashku këto 5 vitet e fundit dhe për të thënë të drejtën unë ndihem krenare për të gjithë skuadrën e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për parametrat dhe kriteret që janë vendosur, për një standard i cili tashmë është i padiskutueshëm dhe nuk do jetë më në dorë të askujt për ta ndryshuar këtë standard. Është një standard që i takon sistemit elektroenergjetik shqiptar dhe Shqipërisë.
Dua të kujtoj që kur nisëm në 2019 proceset e ankandeve fotovoltaike ka pasur rezerva nga kompanitë ndërkombëtare, ka pasur rezerva edhe nga bashkëpunëtorët tanë, ata që sot na mbështesin fuqimisht siç është BERZH-i apo SECO, duke qenë se ishin hapat e parë dhe duke qenë se perceptimi për Shqipërinë gjithmonë është i gabuar dhe nuk është ai që në vërtetë ndodh. Por me punën që është kryer, siç e thamë, sot Shqipëria merret si një rast studimor. Sesi një vend i cili gjeneron 100% energji të rinovueshme vazhdon me persistim në një rrugë shumë të qartë për të diversifikuar këtë portofol, pra nga portofoli hidrologjik, në atë solar dhe eolik.
Kështu që dua të përmend 2 procedura të suksesshme që ne kemi kryer në vitet e mëparshme që kanë qenë dy parqe fotovoltaike të një madhësie të konsiderueshme, siç është ai i Karavastasë 140 megavatorë, ku Republika e Shqipërisë përfiton 50% të prodhimit dhe parku i Spitallës. Parku i Karavastasë ndodhet në operim duke filluar nga muaji shkurt 2024, ndërkohë që parku i Spitallës është në ndërtim e sipër. Një tjetër sukses që kemi shënuar, sidomos jo vetëm për shtimin e kapaciteteve, por edhe për rritjen e sigurisë energjetike përmes diversifikimit është edhe ankandi i kapaciteteve të reja eolike, nga i cili përfituam 222.48 megavatorë.
Duhet thënë që përveç transparencës dhe kritereve me të vërtetë europiane që kemi vendosur, kemi përfituar dhe çmime rekord përmes këtyre ankandeve, duke kujtuar këtu rastin e Voltalias në Karavasta, ku çmimi i fiksuar është 24.89 euro për megavat, një çmim rekord për gjithë Europën. Në ndërkohë duhet thënë që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka një strategji të qartë që synon që kapacitetet gjeneruese diellore të arrijnë një shtesë prej 1 gigavator nëpërmjet procedurave të pastra, transparente dhe konkurruese.
Ankandi hibrid që po konkludojmë sot është më i madhi i zhvilluar në vend dhe ku shteti shqiptar nuk angazhon asnjë aset shtetëror, ndaj dhe quhet hibrid. Nëse në dy ankandet e mëparshme, pra atij të Karavastasë dhe të Spitallës, shteti ka vendosur tokën në dispozicion të prodhimi të energjisë nga këto ankande, në këtë rast kemi një ankand hibrid, ku toka është siguruar nga subjektet e interesuara dhe nga ana tjetër shteti është vetëm blerësi i energjisë të prodhuar nga këto parqe, duke pasur parasysh që është një garë e hapur dhe shpresojmë që të arrijmë një çmim edhe sot konkurrues.
Të njëjtin koncept kemi përdorur dhe në ankandin eolik të vitit 2023, i cili u mbyll me sukses korrikun e kaluar, ku zona për zhvillimin e projektit ishte përcaktuar, por që secili nga pjesëmarrësit kishte të drejtë që të bënte studimin e tij, ashtu siç e do eoliku 1 vit dhe më pas të sillte një projekt me tokën vet të gjetur nga subjekti.
Duhet të keni parasysh që ky ankand ka pasur një kriter i cili lejon konkurrentët të hyjnë në garë me një park jo më të vogël se 10 megavatorë dhe jo më të madh se 100 megavatorë. Në këtë kontekst Ministria ofron për fituesin një kontratë shit-blerje të energjisë elektrike për një periudhë 15 vjeçare me një çmim të pandryshuar. Çmimi që do të përcaktohet do të jetë ai i propozuar nga ofertuesit e përzgjedhur. Në çdo rast çmimi nuk mund të jetë më i lartë se tavani i vendosur prej 59.97 euro për megavatorë.
Lidhur me procedurën e zhvillimit të ankandit më duhet të them se jemi mjaft të kënaqur nga interesi i shtuar që kemi pasur nga kompanitë kombëtare dhe ndërkombëtare, kryesisht europiane. Kanë paraqitur ofertat 14 ofertues, nga të cilët janë kualifikuar 9, një rate i lartë ky do të thoja dhe kapaciteti që këta 9 operatorë kanë ofertuar është 355.93 megavatorë. Bazuar në dokumentet e procedurës konkurruese sot do të vijojmë me hapjen e ofertave financiare nga Komisioni dhe shpalljen e fituesve të këtij ankandi.
Procedurat e zhvilluara nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë me projekte tashmë të konkretizuar, janë duke u mundësuar dhe të dhënat e para të ndikimit të tyre në rrjet, të nevojës për menaxhim të flukseve të energjisë apo edhe nevojës së vazhdimit të diversifikimit, sigurisht bazuar në eksperienca këto që më parë i shihnim dhe i vlerësonim vetëm bazuar në praktikat e vendeve të tjera. Sot mund të themi që instalimi i kapaciteteve të reja gjeneruese nga burimet e rinovueshme ka pasur zhvillime të rëndësishme në vendin tonë të cilat mund të kthehen në pikë reference edhe për zhvillimet e ardhshme.
Bazuar në këto praktika dhe eksperienca të krijuara ne sot mund të themi që mbështetja do të vijojë patjetër, por e orientuar për një veprimtari më të qëndrueshme dhe të bazuar dhe në praktikat më të mira teknike të kombinimit të gjenerimit dhe në veçanti të ruajtjes së energjisë, teknologji e cila jo vetëm ndihmon rrjetet, por edhe përmirëson qëndrueshmërinë e gjenerimit nga burimet e rinovueshme.
Kini parasysh që ne kemi incentivuar prodhimin solar prej vitesh. Sigurisht në fillim me paketa modeste, siç kanë qenë paketat e 2 megavatorëve, që u kthyen dhe në një modë, që na u desh kohë që t’ja hiqnim nga mendja investitorëve shqiptarë dhe ti thonim që energjia është shumë më shumë se prodhimi parqeve 2 megavatorsh. Sot po kalojmë në një nivel tjetër. Një nivel tjetër i cili padyshim kërkon këtë miks të energjisë, që përveç hidrocentraleve, kaskadës së Drinit apo të tjera të hidrocentraleve të vogla të cilat kontribuojnë ndjeshëm në rrjetin energjetik shqiptar, ne duhet të kemi një prodhim të konsoliduar që vjen padyshim nga parqet fotovoltaike, por duke pasur gjithmonë parasysh që paraqet fotovoltaike duhet të mbështeten nga njësitë depozituese për të krijuar balancimin e duhur të energjisë.
Dhe e gjitha kjo do të jetë një paketë e ardhshme, të cilën ne po e punojmë sot në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Sigurisht do të kërkojmë ndihmën dhe asistencën e partnerëve tanë për të kuptuar sesi një paketë e re incentivuese mund të dalë në treg për të mbështetur të gjithë ato entitete të cilat do të dëshirojnë të investojnë në kapacitete depozituese.
Dhe diçka tjetër që do dëshiroja ta ndaja me ju, duke qenë se këtu shikoj të gjithë ekspertët që vijnë nga fusha energjetike. Është shumë e rëndësishme që tashmë duhet të kuptohet që nevoja e madhe për shtimin e kapaciteteve solare apo eolike patjetër do të shoqërohet me një studim të mirëfilltë të zonave ku mund të ndërtohen këto kapacitete. Kemi pasur një lëvizje spontane gjatë viteve të fundit, padyshim të orientuar dhe të koordinuar dhe me kompanitë shtetërore që operojnë në fushën energjetike, por nga ky moment, duke qenë se kapacitetet po rriten, duke qenë se iniciativat private edhe jashtë ankandeve po shtohen, duke qenë se rrjeti i transmetimit shumë shpejt do të vihet në vështirësi për zonat ku ngrihen këto kapacitete, ju duhet të kuptoni që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në muajt në vazhdim do të dalë me një studim të mirëfilltë të territorit shqiptar, të bazuar mbi kapacitetet që ne kemi në transmetim dhe në shpërndarje dhe duke orientuar kështu se ku do të ndërtohen njësitë e tjera gjerneruese, qofshin këto fotovoltaike apo eolike.
Falënderoj edhe një herë BERZH dhe ambasadën zvicerane, përmes ndihmës që na jep me SECO. Falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, që tashmë e bëjnë prej 5 vitesh këtë proces që është kthyer në një proces shembull edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe shpresoj që sot të arrijmë çmime për blerjen e kësaj energjie, e cila tejkalon 300 megavatorshin që u nis ky ankand, sa më të mira dhe të jenë ndihmëse për portofolin tonë që më pas dhe ne ta reflektojmë tek qytetarët tanë.
/abcnews.al