Komiteti Kombëtar Republikan ka publikuar platformën e vitit 2024, e cila reflekton politikat dhe axhendën e kandidatit të kësaj partie për president, Donald Trump.
Sipas njoftimeve, platforma është hartuar nga ekipi i zotit Trump, ndërsa emri i ish presidentit përmendet në dokument. Është hera e parë që nga viti 2016 që komiteti ka publikuar një platformë, duke evituar hartimin e një të tille në vitin 2020.
Platforma e miratuar të hënën përfshin në titull edhe sloganin e zotit Trump “Make America Great Again” të përdorur që nga viti 2015 kur zoti Trump njoftoi për herë të parë kandidaturën për Shtëpinë e Bardhë.
Premtimet në platformë
Platforma republikane rendit 20 objektiva që synon të arrijë. Mes synimeve kryesore janë edhe “operacioni më i madh dëbimit në historinë amerikane”, deportimi i “radikalëve pro-Hamasit”, “kthimin e sigurisë nëpër kampuset universitare” dhe objektivi që ushtria amerikane të bëhet më e forta në botë.
Republikanët theksojnë në platformë, mes të tjerash, edhe uljen e inflacionit duke i dhënë fund nismës demokrate për mjedisin, të cilësuar si socialiste nga e djathta, dhe mbajtjen e “meshkujve jashtë sporteve për femra”.
Një nga synimet e platformës republikane është edhe ndërtimi i një “mburoje të madhe ajrore nga raketat” mbi qiellin e Shteteve të Bashkuara.
Platforma nuk ofron premtime në lidhje me abortin, historikisht një çështje e nxehtë për Partinë Republikane. Për 40 vjet republikanët kanë mbështetur ndalimin e abortit në shkallë kombëtare, ndërsa aktualisht kundërshtojnë abortin në fazat e vona të shtatzënisë, çka përputhet me qëndrimin aktual të zotit Trump, i cili thotë se shtetet duhet të vendosin për abortin, një ndryshim nga fushata e vitit 2016.
Platforma nuk flet lidhur me martesën brenda të njëjtës gjini, të kundërshtuar fuqishëm në vitin 2016. Platforma u miratua me 84 vota pro dhe 18 kundër. /voa