Në hapësirën detare të Kinës janë përplasur dy anije. Mësohet se nga incidenti 32 pjestarë të eukipazhit të një naftëmbajtëse iraniane janë shpallur të zhdukur. Autoritetet kineze dhe koreanojugore vazhdojnë operacionet e kërkimit në zonën e përplasjes.
32 persona, pjesë e ekuipazhit të një naftëmbajtëse iraniane, kanë humbur pasi anija e tyre është përplasur me një anije mallrash në brigjet lindore të Kinës. Për pasojë mjeti lundrues ka marrë flakë. Mësohet se nga të zhdukurit, 30 janë iranianë dhe 2 shtetas të Bangladeshit. Anija mbante 136 mijë tonë naftë të kondensuar. Mjeti tjetër lundrues është dëmtuar por nuk ka vendosur në rrezik sigurinë e saj apo të 21 personave që ishin pjesë e ekuipazhit. Të gjithë ishin shtetas kinezë të cilët janë shpëtuar.
Zjarri në naftëmbajtësen iraniane vazhdoi për disa orë, ndërsa kanali televiziv shtetëror “CCTV” ka publikuar pamjet e anijes në zjarr, e cila është e mbuluar me tym të zi.
Anija çisternë “Sanchi”, e gjatë 274 metra dhe me flamurë të Panamasë është menaxhuar nga “Iran Glory Shipping” dhe po drejtohej për në Korenë e Jugut bashkë me ngarkesën e saj. Incidenti ka ndodhur rreth 160 milje nautike nga lindja e Shangai.
Anija tjetër e përfshirë në incident është një mjet lundrues me flamurin e Hong Kongut që transportonte 64 mijë tonë grurë. Tashmë kanë filluar kërkimet për ekuipazhin Iranian. Agjencia zyrtare e lajmeve “Xinhua” shkruan se autoritetet detare kineze dërguan në zonën e përplasjes tetë anije kërkimi dhe shpëtimi dhe Koreja e Jugut dërgoi një aeroplan dhe një anije të rojeve bregdetare./abcnews.al