Ekstradimi i Durim Bamit/ Autoritetet arabe marrin zyrtarisht kërkesën nga Shqipëria

schedule17:17 - 1 Korrik, 2024

schedule 17:17 - 1 Korrik, 2024

Ministria e drejtësisë ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën për ekstradimin e Durim Bamit i arrestuar disa ditë më parë në Dubai.

Mësohet se autoritetet shqiptarë kanë marrë njoftim nga Ministria e Jashtme se kërkesa dhe dosja për Bamin tashmë është marrë dorëzim nga pala arabe që do të vendosë nëse do e pranojë ose jo ekstradimin e tij drejt vendit tonë.

Në Emirate e Bashkuara qëndrojnë edhe emra të tjerë të njohur të botës së krimit që edhe pse është kërkuar ekstradimi I tyre drejt vendit tonë deri më tani është refuzuar nga autoritetet atje për shkak se nuk ekziston një marrëveshje ekstradimi. Sipas SPAK Durim Bami, dyshohet se është një nga krerët e shtatë bandave të hetuara në dosjen voluminoze që janë zbuluar falë komunikimeve të kryera në aplikacionin SKY EÇ. 45-vjeçari nga Nikla akuzohet për organizimin dhe porositjen e vrasjes së mbetur në tentativë të ish-deputetit Arben Ndoka, pasi ky i fundit organizoi një atentat ndaj tij në nëntor të vitit 2020.

Sipas dosjes hetimore rezulton se, Bami u vu nën shënjestër për t’u ekzekutuar nga Arben Ndoka, për shkak se ky i fundit dyshonte se 45-vjecari ishte organizator i vrasjes së vëllait të tij Aleksandër Ndoka. Emri i Bamit përfshihet dhe në kultivimin e lëndëve narkotike në zonën e Krujës. Më herët gjykata e posaçme ka caktuar ndaj tij masën e arrestit në burg në mungesë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!