Gjykata e Posaçme ka dënuar me 50 vite burg 7 të pandehurit e dosjes Revanshi mes tyre dhe Durim Bamin i cili mori dënimin më të lartë.
SPAK kishte kërkuar 21 vite burg ndërkohë GJKKO e dënoi me 10 vite e 8 muaj burg të fortin e Niklës dhe e shpalli fajtor për tentativën e vrasjes ndaj ish-deputetit Arben Ndoka, për kultivim narkotikësh në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe grup të strukturuar kriminal. Ndërsa lidhur me akuzën e ngritur nga SPAK për tentativën e vrasjes së Erigers Mihasit dhe Tori
Xheçukës Gjykata e Posaçme e shpalli të pafajshëm Bamin.
Oltion Zefi dhe Edmir Pjetri të akuzuar për trafikim narkotikësh dhe grup të struktuar kriminal u dënuan përfundimisht nga GJKKO me 10 dhe 8 vite burg me gjykim të shkurtuar.
Ndërkohë për Jozi Krajen dhe Aldo Avdylin të akuzuar për sigurimin e kushteve për vrasjen e Durim Bamit dhe Grup të strukturuar kriminal GJKKO i dënoi me 4 vite 8 muaj burg.
Për ish-zyrtarin e policisë Henerigert Mitri të akuzuar dhe shpallur fajtor për kultivim narkotikësh, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe shpërdorim detyre GJKKO dha dënimin prej 5 vite e 4 muaj burg.
Ish-efektivi e RENEAS Altin Morina u dënua me 6 vite e 8 muaj burg për kultivim narkotikësh, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe mbajtje pa leje të armëve. Gjykata e Posaçme pushoi çështjen për mbajtjen e municioneve luftarake ndaj Morinës.
7 të pandehurit e këtij fraksioni të dosjes Revanshi u gjykuan me procedurë të shkurtuar ndërsa me dhënien e vendimit të gjithë do të kryejnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.
Zbardhja e komunikimeve në SKY ECC zbuloi 7 grupe kriminale që ishin përfshirë në sigurim kushtesh për të kryer vrasje, kultivim narkotikësh në bashkëpunim me strukturat
policore, atentate dhe episode të tjera kriminale gjatë vitit 2020 që vepronin nga Tirana, Durrësi, Lezha e Vlora./abcnews.al


