Prokuroria e Tiranës ka vënë në sekuestro disa pasuri në emër të 7 personave vlera e të cilave përllogaritet në 50 milionë euro.
Sipas prokurorisë së Tiranës hetimi nisi në bazë të ligjit anti mafia pasi një nga personat e përfshirë rezulton i dënuar në Belgjikë për trafik drogë. Bëhet fjalë për 43-vjeçarin Elman Abule.
Ky i fundit në bashkëpunim me Kristian Boçin si dhe bashkëshorten e tij Drilona Boçi, por edhe familjarë dhe të afërm të tyre janë pronarë të disa pasurive që dyshohet se janë krijuar nga aktiviteti kriminal. Kristian e Drilona Boçi janë personazhe të njohur në rrjetet sociale dhe herë pas herë ekspozojnë edhe jetën e tyre luksoze.
Sipas prokurorisë Elman Abule ka themeluar një sërë shoqërish tregtare, me qëllimin të maskojë kryerjen e aktiviteteve të paligjshme nga ana e tij, me veprimtari të konsideruara si të ligjshme. Abule, nëpërmjet krijimit të një sërë kompanive, disa prej tyre nën administrimin edhe të Kristian Boçit, apo Vladimir Avrami, kanë krijuar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të parave.
/abcnews.al