Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) ka lëshuar fletarrestime për ish-ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, dhe gjeneralin rus, Valery Gerasimov, nën dyshime se kanë kryer krime gjatë pushtimit rus të Ukrainës.
Muajin e kaluar, Shoigu u largua nga posti i ministrit të Mbrojtjes dhe u emërua sekretar në Këshillin e Sigurisë së Rusisë. Ky ishte ndryshimi më i madh që presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë në komandën ushtarake që kur ka nisur luftën kundër Ukrainës më 2022.
GJNP-ja, që ka selinë në Hagë, tha se Shoigu dhe Gerasimov dyshohen se kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për shkak se kanë urdhëruar sulme ndaj civilëve dhe objekteve civile në Ukrainë.
Gjykatësit gjetën “bazë të arsyeshme për të besuar se dy të dyshuarit kanë përgjegjësi për sulmet ajrore të kryera nga forcat e armatosura ruse kundër infrastrukturës energjetike ukrainase nga të paktën 10 tetori i vitit 2022 deri më 9 mars 2023”, u tha në njoftimin për media të GJNP-së.
Rusia, që nuk është anëtare në GJNP, vazhdimisht ka thënë se infrastruktura energjetike e Ukrainës është cak legjitim ushtarak dhe ka mohuar se shënjestron civilët apo infrastrukturën civile.
Po ashtu, as Ukraina nuk është anëtare, por i ka dhënë GJNP-së juridiksion për të ndjekur krimet e kryera në territorin e saj.
Fletarrestimet për Shoigun dhe Gerasimovin bëjnë që numri i përgjithshëm i fletarrestimeve kundër zyrtarëve të lartë rusë që nga nisja e pushtimit, të arrijë në tetë. Në mesin e tyre bën pjesë edhe Putini, i cili dyshohet për krime lufta, përkatësisht për dënimin e fëmijëve ukrainase për në Rusi.
GJNP-ja nuk ka forcë të saj policore dhe varet nga shtetet anëtare që të kryejnë arrestimet. /REL