Kina u ka ofruar koncesione prodhuesve gjermanë të automjeteve për të ndaluar një taksë të shpallur për automjetet elektrike kineze.
Pekini ka thënë se prodhuesit gjermanë të makinave luksoze mund të përfitojnë nëse Berlini zyrtar bind Bashkimin Evropian që të heqë tarifat për automjetet elektrike nga Kina, sipas burimeve të mirëinformuara dhe të paidentifikuara.
Sipas këtyre burimeve, Kina ka konsideruar uljen e tarifave ekzistuese për automjetet me motorë të mëdhenj në këmbim të heqjes dorë nga taksat e planifikuara të BE-së për importet e automjeteve elektrike nga Kina, raporton Bloomberg, duke cituar se Pekini aktualisht aplikon një taksë 15 për qind për automjetet e pasagjerëve nga Bashkimi Evropian.
Ministri i Tregtisë së Kinës, Wang Wentao, la të kuptohet për mundësinë e këtyre privilegjeve homologut të tij gjerman Robert Habeck gjatë një takimi të shtunën në Pekin, sipas një prej burimeve të Bloomberg, transmeton Tanjug.
Vizita e tij tre-ditore në ekonominë e dytë më të madhe në botë vjen disa javë pasi BE-ja propozoi rritjen e tarifave për makinat elektrike nga Kina deri në 48 për qind më vonë këtë vit. Komisioni Evropian pretendon se tarifat më të larta synojnë barazimin e kushteve të marrëdhënieve ekonomike dhe të tregut dhe përfaqësojnë kompensimin e duhur për subvencionet shtetërore kineze. Pekini zyrtar njoftoi më parë mundësinë e vendosjes së një takse prej 25 për qind për makinat e mëdha evropiane, e cila do të godiste prodhuesit gjermanë të makinave luksoze si Mercedes-Benz Group AG dhe BMW AG./abcnews.al