Shqipëri – Sipas MeteoAlb orët e paradites mbeten nën ndikimin e motit të kthjellët dhe temperaturave të larta në të gjithë territorin e vendit, por orët e pasdites do të sjellin kalime vranësirash nëpër të gjithë territorin ku më të dukshme vranësirat paraqiten në zonat përgjatë shtrirjes Lindore.
Po ashtu; do të ketë shtim të lagështirës në ajër duke bërë që i nxehti të ndjehet edhe më shumë.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të lehtë në vlerat e mëngjesit, por mesdita sjell rënie më 2 -3 gradë duke luhatur vlerat ditore nga 13°C vlera më e ulët deri në 40°C vlera më e lartë në rang territori. Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe mesatare në det duke arritur shpejtësinë maksimale deri në 35 km/h nga drejtimi veripërëndimor; për pasojë në brigjet detare do të krijohet dallgëzim 1– 2 ballë.
Kosova – Orët e paradites do të paraqiten më kthjellime dhe vranësira të lehta e kalimtare, por pas-mesditës pritet zhvillim i vranësirave konvektive në skajin verior dhe veriperëndimor duke rrezikuar rrebeshe të izoluara shiu. Parashikohet që pjesa e dytë e ditës të vijojë nën ndikimin e alternimeve të kthjellimeve dhe vranësirave të shpeshta në të gjithë republikën e Kosovës. Për sa i përket temperaturave të ajrit do të pësojnë rënie si në vlerat minimale edhe në ato maksimale duke u luhatur nga 14°C vlera më e ulët deri në 37°C vlera më e lartë në rang territori. Ndërkohë era do të fryjë mesatare gjatë gjithë ditës duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 35 km/h nga drejtimi veriperendimor.
Maqedonia e Veriut – Do të vijojë i nxehti edhe të shtunën në pjesën më të madhe të republikës së Maqedonisë së Veriut, ku temperatura mjaft të larta priten në zonat veriore dhe veriperëndimore të territorit të MV. Pjesa e dytë e ditës do të sjellë prezencë të vranësirave në të gjithë Maqedoninë e Veriut më të theksuara në zonat veri – veriperëndimore të Maqedonisë së Veriut duke rrezikuar rrebeshe të izoluara shiu.
Parashikohet që edhe lagështira në ajër të jetë mjaft e lartë. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të lehtë si në vlerat minimale edhe në ato maksimale duke u luhatur nga 16°C vlera më e ulët deri në 41°C vlera më e lartë në rang territori. Ndërkohë, parametri i Erës do të paraqitet mesatare dhe herë pas here e fortë duke arritur shpejtësinë maksimale deri në 40 km/h nga drejtimi kryesisht veriperëndimor.