Spalletti: Ndaj Shqipërisë pres të shoh ndeshje më të mira se këto dy të fundit

schedule14:44 - 14 Qershor, 2024

schedule 14:44 - 14 Qershor, 2024

Diçka më shumë se 24 orë na ndajnë nga përballja më e rëndësishme e këtij viti për “Legjionarët” tanë, teksa në “Signal Iduna Park” do të sfidojnë Italinë, në sfidën e parë, në rrugëtimin e tyre, të dytë në histori, në një Kampionat Evropian të futbollit, ku padyshim ndaj një rivali të madh, si “Të Kaltërit” do të kërkojnë një rezultat të madh.

Këtë të premte do të zhvillohen edhe konferencat zyrtare për shtyp, ku të parën e kanë zhvilluar “Të Kaltërit” e Italisë, me teknikun, Luciano Spalletti, i cili ka theksuar se skuadra është e përfshirë nga emocionet, por shtoi se ato janë pozitive ndërsa lajmëroi se Nicolo Barella është rikuperuar.

“Sigurisht që ka gjithmonë emocione kur luhen ndeshje të këtij niveli, por nuk janë emocione toksike. Janë emocione pozitive dhe të bukura të cilat për më tepër e bëjnë këtë stadium të duket i mrekullueshëm.

Barella? Ai është rikuperuar, por do të shohim nëse ia del të mbyllë të gjithë stërvitjen dhe më pas të kuptojmë nëse do të jetë në fushë nga minuta e parë. Pres që në fushë ndaj Shqipërisë të shohë ndeshje më të mira se ato dy të fundit. Punojmë çdo ditë së bashku dhe shpresoj që të vendosim në praktikë të gjithë ato që kemi punuar në stërvitje.

Unë mendoj se në këtë moment, të gjithë ne jemi gjigandë, jemi heronj. Kemi pak kohë në stërvitje, por djemtë kanë treguar seriozitet dhe kështu bëhet më e lehtë. Calafiori? Ka treguar se mund t’i besojmë, ka kualitetet e një futbollisti ndërkombëtar. Është nga ata mbrojtës që kërkon të shkojë të shënojë me topin në këmbë”,- u shpreh Spalletti. /i.m /abcnews.al