“Shpëtimtarja” e Fierzës/ Anija gjermane do të pastrojë liqenin nga mbeturinat

schedule20:32 - 1 Qershor, 2024

schedule 20:32 - 1 Qershor, 2024

KUKËS- Kjo anije pritet të shpëtojë nga ndotja Liqenin e Fierzës. Ka disa ditë që lundron në ujërat e tij duke pastruar mbetjet, kryesisht ato të plastikës. Puna ka nisur në pjesën më të ndotur të liqenit, në grykëderdhjen e lumit Luma. Në anije punojnë dy kapitenë nga Sllovakia, të cilët këmbehen me turne me njëri tjetrin, punonjësit e tjerë të cilët janë ndihmës janë nga Kukësi.

“Procesi i pastrimit përbëhet nga dy pjesë. Pjesa e parë është mbledhja e mbeturinave lundruese nga varka jonë. Kur anija është plot ne i shkarkojmë mbetjet në një kamion dhe mbeturinat merren për ndarje të mëvonshme. Unë kam 5 vjet që punoj me Everwave. Ne kemi tre anije. Njëri punon në Tajvan, i dyti në Kamboxhia dhe i treti në Ballkan.  Dëshiroj t’u them shqiptarëve që të mendojnë më shumë se si e trajtojnë natyrën e tyre.  Është planeti i të gjithëve ne”

Anija, që në Kukës ndodhet falë një projekti që financohet nga Bashkimi Europian do të menaxhohet nga Bashkia Kukës dhe do të qëndrojë deri në pastrimin e liqenit.

Përfaqësues të bashkisë thonë se pastrimi i liqenit, veçanërisht në pjesët ku ka shkurre dhe pemë është i vështirë. Ndotja e liqenit të Fierzës është kthyer në shqetësim prej vitesh. Sipërfaqja e tij dhe vija liqenore mbushen me mbetje në të gjitha rastet kur niveli i ujit rritet ose bie.

Pjesa më e madhe e mbeturinave vijnë nga dy burimet kryesore që furnizojnë liqenin, Drini i Bardhe nga Kosova dhe Drin i Zi nga Maqedonia e veriut./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!