Koloneli Çlirim Toci thotë se deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili tha se aleatët duhet të furnizojnë Ukrainën me armë për të goditur objektiva në Rusi, vjen në momentin dhe në kohën e duhur.
Në emisionin “360 gradë” në ABC News, Toci u shpreh se forcat ruse nuk duan ta pushtojnë Kharkivin aktualisht, por duan ta mbajnë qytetin në presion.
Ndërsa ish oficeri Dritan Goxha deklaroi se dërgimi i trupave të NATO-s në Ukrainë, është një çështje teknike.
Çlirim Toci: Unë do ta shoh deklaratën, si një deklaratë që vjen në kohën dhe momentin e duhur. Kemi një front të ri në Kharkiv, për të krijuar një zonë tampon rreth Belgorodit. Në këtë zonë, sipas ekspertëve, në fillim forcat ukrainase nuk ishin të përgatitura. Në momentin që SHBA miratuan paketën 61 miliardë dollarë, ka ndryshim. Informacionet e zbulimit janë informacione të klasifikuara. Rusët nuk kanë objektiv ta pushtojnë Kharkivin për momentin, duan të afrohen për shkak të rrezes së veprimit, për ta pasur në presionin e goditjeve të artilerisë. Zhvillimet në fushën e luftimeve kanë ndyshuar. Kërkohet që Ukraina të marrë iniciativën. Të gjitha opsionet janë në tavolinë, por NATO nuk mund të marrë pjesë me forca në terren. Çdo vend anëtar, i pavarur mund të dërgojë armatime. Franca mund të dërgojë, Polonia, Estonia, bazuar në një marrëveshje dypalëshe mirëkuptimi ose teknike.
Dritan Goxhaj: Dërgimi i trupave, është në vetvete është çështje teknike. Rezultati i saj, duhet t’i bashkangjitet një objektivi politik. Ky objektiv politik duhet të përcaktohet nga vendimmarja politike e NATO-s. Deklarata e Stoltenberg nuk është bërë pa qëllim. Nga fundi i qershorit do të bëhet mbledhja e NATO-s në Uashington ku do të përcaktohet doktrina e re e NATO-s. Kjo është deklaratë politike për momentin. Pa një objektiv politik, nuk ke si fut trupa. NATO ka vepruar si një forcë mbrojtëse, nuk ka doktrinë sulmuese.